Novi Sad, 2 shkurt 2025 – Aleksandar Olenik, anëtar i kryesisë së Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës (LSV), ka thënë se serbët e Kosovës duhet të shkëputen politikisht nga Beogradi dhe të formojnë parti që i përfaqësojnë interesat e tyre.
“Mendoj se tani është koha që serbët e Kosovës, si në veri ashtu edhe në jug të lumit Ibër, të ndahen politikisht nga Beogradi dhe të ndjekin shembullin e serbëve në Kroaci dhe të formojnë një ose më shumë parti që do të përfaqësojnë interesat e serbëve në Kosovë, dhe jo interesat e regjimit në Beograd. Sigurisht që jo interesat e regjimit të korruptuar të Aleksandër Vuçiqit”, ka thënë Olenik për “The Geopost”.
Ai ka thënë se Lista Serbe është bërë e padobishme politikisht pas shtimit të presionit ndaj Vuçiqit në Serbi dhe pas sulmit terrorist në Banjskë.
“Çdo ditë që kalon presioni ndaj Vuçiqit dhe regjimit të tij po rritet dhe çdo ditë që kalon aftësia e tij për t’u mbrojtur nga ky presion po zvogëlohet”, ka thënë Olenik.
Ai ka thënë se pas sulmit në Banjskë nuk mund të pritet konflikt në Kosovë.
“Aleksandar Vuçiq e provoi këtë. Të gjithë e dimë se si përfundoi kjo dhe nuk mendoj se Vuçiqi ka kapacitetin për ta bërë këtë”, ka thënë ai.
(r.m.)