Otava, 6 mars 2025 – Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, ka deklaruar se të hënën do të nisë zbatimi i tarifës prej 25% për energjinë elektrike që nga Ontario eksportohet në tri shtete amerikane (Minesota, Michigan dhe Nju Jork).
“Që nga e hëna, ne do të vendosim një tarifë 25% për energjinë elektrike për 1.5 milionë shtëpi dhe biznese në këto tri shtete”, tha Ford për Ëolf Blitzer të CNN të enjten.
Ford shpreh keqardhje që Ontario detyrohet të bëjë këtë, si kundërmasë ndaj tarifës prej 25% që administrate e Presidentit amerikan na vënë për mallrat nga Kanadaja,
“Më shqetëson vërtet që duhet ta bëjmë këtë”, tha ai.
Sipas shifrave të qeverisë kanadeze të vitit 2023, Ontario eksporton më shumë energji elektrike në SHBA se çdo provincë tjetër.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se të gjitha masat hakmarrëse të vendit të tij do të mbeten në fuqi nëse Shtetet e Bashkuara nuk i heqin plotësisht tarifat e tyre.
Kanadaja zbatoi këtë javë një tarifë 25% për mbi 1,200 mallra amerikane dhe paralajmëroi se do të vendosë tarifa edhe për mbi 4,000 mallra të tjera deri më 25 mars, nëse SHBA-ja nuk i heq tarifat për mallrat kanadeze.
Të enjten në mëngjes, Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, i tha CNBC-së se tarifat për produktet kanadeze që janë në përputhje me traktatin me siguri do të ndërpriten.
Po të enjten, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi për një pauzë për disa mallra nga Meksika dhe nga Kanadaja. Ky vendim vlen për mallrat që janë në përputhje me marrëveshjen tregtare që Trump kishte negociuar me Kanadanë dhe Meksikën gjatë mandatit të tij të parë presidencial.
(r.m.)