Operacion i madh i SPAK-ut, pas gjetjeve në “Sky ECC” dhe “Enchro Chat”

Tiranë, 17 maj 2024 – Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) ka zhvilluar operacion të madh të premten, duke lëshuar 43 urdhërarreste për persona që dyshohen të përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale, raporton “Euronews”.

Operacioni i SPAK-ut u zhvillua në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Shkodër e Krujë.

Mes personave të kërkuar janë një sërë emrash të njohur të botës së krimit në Shqipëri. Në mesin e tyre janë vëllezërit Valter dhe Durim Bami, të cilët janë akuzuar shpesh si ideatorë, financues apo edhe pjesëmarrës në ngjarje të rënda kriminale në vend. Kontrolle janë ushtruar edhe për vëllezërit Erlis dhe Leonard Duka, të dyshuar si të përfshirë në biznesin e jashtëligjshëm të lojërave të fatit, në vrasjen e policit Santiago Malko apo në trafikun ndërkombëtar të drogës.

SPAK-u ka kryer kontrolle edhe në zonën e Shijakut, në bazën e vëllezërve Astrit dhe Altin Avdylaj, edhe këta të dyshuar si të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës, në gjobëvënie, në pengmarrje dhe në vrasje.

Urdhërarrest është lëshuar edhe për Fatmir Hysenin, i njohur me nofkën “Doçja”, i cili ka qenë i shpallur në kërkim për dy atentate, njëri ndaj ish-krahut të djathtë të Ervis Martinajt, Santiago Malkos, ndërsa tjetri ndaj Inez Hajrrullës në Vlorë, besnikut të Edison Harizajt, të ekzekutuarit pak vite më parë.

Po ashtu, janë lëshuar urdhërarreste edhe për Endrit Doklën dhe Plaurent Dervishaj, dy anëtarë të Bandës së Durrësit, e cila më pas u nda në dy grupe që filluan luftën kundër njëri-tjetrit.

Operacioni në Lezhë është fokusduar edhe në kapjen e personave të klanit “Ndoka”, mes të cilëve është edhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka.

Mes urdhërarresteve ka dhe emra të tjerë të botës së krimit, të cilët dyshohen për përfshirje në aktivitete kriminale të dosjes së hetuar nga SPAK-u.

Dosja hetimore dhe oparacioni i SPAK-ut ka të bëjë me gjetjet nga dekodimi i komunikimeve të të dyshuarve përmes aplikacionit “Sky ECC” dhe “Enchro Chat”.

(r.m.)