Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në konferencë për median me kolegët spanjollë tha se goditja kundër narkotrafikut dhe krimit të organizuar është domethënëse
Knid Ndrenika
Shqipëria, Spanja dhe Gjermania zhvilluan një operacion kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.
Më shumë se 400 policë morën pjesë në operacionin që u zhvillua njëkohësisht në 42 vende për thuajse 1 vit.
Operacioni i koduar “Dobra” është përqendruar te trafiku i marihuanës.
Autoritetet kanë arrestuar 107 persona dhe zbuluan 51 ferma të mbjella me kanabis në Spanjë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në konferencë për median me kolegët spanjollë tha se goditja kundër narkotrafikut dhe krimit të organizuar është domethënëse.
“Ne nuk do të mjaftohemi me ndalimin e operacionit në këtë stad, por do të vazhdojmë me vendin tonë duke investiguar të gjitha pronat që mund të kenë ardhur si rezultat i këtij aktiviteti kriminal, sepse duke goditur dhe pjesën ekonomike i japim një goditje shumë të fortë këtij grupi kriminal. Ky është operacioni iparë që ne zhvillojmë me kolegët spanjollë, unë besoj dhe shpresoj se do të vazhdojmë dhe në të ardhmen të kryejmë operacione të përbashkëta”-tha kryedrejtori policor Veliu.
Tre hetues dhe pjesëtarë të policisë së Shqipërisë u vendosën në Madrid të Spanjës për tërë periudhën hetimore 1-vjeçare.
Për thuajse 1 vit zhvillim, në operacion u kontrolluan 51 mjedise të ndryshëm, duke përfshirë 23 të njohura si “shtëpitë e barit” dhe u asgjësuan rreth 25.000 bimë narkotike kanabis.
Po ashtu u sekuestruan 938 kilogramë boçe kanabisi, një detonator, dy armë zjarri, tri mjete luksoze, një bllokues valësh dhe rreth 70 mijë euro.
Policia e Shtetit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu, në konferencën për shtyp në Madrid, Spanjë, për prezantimin e rezultateve të megaoperacionit të përbashkët të koduar “DOBRA”, në kuadër të të cilit u godit një grup kriminal në fushën e krimit të organizuar dhe u arrestuan 107 persona të dyshuar të përfshirë në krimin e organizuar në fushën e drogës.
Njoftimi i Policisë spanjolle:
Agjentët e Policisë Kombëtare, në një operacion të përbashkët me Mossos d’Esquadra dhe autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, me mbështetjen e EUROPOL-it, kanë arrestuar 107 persona në kuadër të një operacioni kundër një rrjeti kriminal transnacional me origjinë shqiptare. Rreth 1 ton drogë dhe rreth 25.000 bimë marijuanë janë sekuestruar përgjatë 51 kontrolleve të kryera në Tarragona, Barcelona, Girona dhe Castellón.
Hetimi filloi në qershor të vitit të kaluar, pas marrjes dijeni për një rrjet kompleks lehtësuesish të cilët dyshoheshin se po mbulonin një organizatë me origjinë shqiptare për t’u vendosur në Spanjë. Ky rrjet ishte i përbërë nga profesionistë nga sektorët e pasurive të paluajtshme dhe të energjisë elektrike, ndër të tjera, të cilët, kundrejt pagesës paraprake, ndihmuan organizatën të vendoset në Spanjë, duke u siguruar atyre logjistikën dhe infrastrukturën e nevojshme për kultivimin e marijuanës. Pas kryerjes së këtij kultivimi masiv, marijuana shpërndahej në vende të ndryshme në Evropë, përfshirë Gjermaninë, ku vlera e drogës shumëfishohej me pesë.
Në fund të vitit 2020, në kryeqytetin e Gjermanisë, njëra nga dërgesat u neutralizua. Kjo organizatë kishte kamufluar 140 kilogramë boçe marijuanë të paketuara në vakum në një dërgesë të pretenduar të fistikëve përmes një kompanie britanike. Në këtë fazë të hetimit, u arrestuan 3 shtetas shqiptarë, të cilëve iu sekuestruan përveç të tjerave 100 kilogramë marijuanë, 700 gramë kokainë dhe më shumë se 2.000 euro cash.
Pas atij veprimi, agjentët filluan hetimet në Spanjë mbi drejtuesit e rrjetit dhe metodat e shpërndarjes së tyre, të gjitha të koordinuara nga Gjykata e Instruksionit numër 3 të Reus. Falë bashkëpunimit ndërkombëtar me Gjermaninë, Shqipërinë dhe EUROPOL, ishte e mundur të identifikoheshin krerët e organizatës kriminale, konkretisht një klan i familjes shqiptare, që banonte në Gjermani dhe Spanjë. Pas kësaj, ishte e mundur të lokalizohej një nga drejtuesit e rrjetit i cili, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, drejtuan një rrjet të madh kushtuar trafikut ndërkombëtar të marijuanës.
Si rezultat, majin e kaluar një dërgesë e re në Gjermani u ndërpre, ku organizata kishte pjesëmarrjen e një shoferi sllovak të kamionit, i cili fshehu 100 kilogramë boçe marijuanë të paketuara me vakum në mesin e ngarkesës së tij të ligjshme. Në të njëjtën kohë, në Reus, një shkatërrua një plantacion prej 1.170 bimësh marijuanë, ku u arrestuan 3 shtetas shqiptarë, anëtarë të rrjetit kriminal.
Së fundi, falë bashkëpunimit të Policisë Kombëtare dhe Mossos d’Esquadra, me praninë e autoriteteve policore nga Gjermania dhe Shqipëria, së bashku me analistët nga EUROPOL-i të specializuar në krimin e organizuar shqiptar, u finalizua operacioni. Një dislokim i gjerë prej rreth 400 agjentësh, që mundësuan kryerjen e 42 ndërhyrjeve dhe kontrolleve të njëkohshme në Tarragona, Barcelona, Girona dhe Castellón. Ditë më vonë, agjentët kryen nëntë kërkime të tjera.
Bilanci i përgjithshëm i hetimit, që zgjati më shumë se një vit, arrin në 107 persona të ndaluar dhe 51 prona të regjistruara në të cilat janë shkatërruar disa plantacione të brendshme të marijuanës, përveç ndërprerjes së të tjerave në fazën e montimit. Agjentët kanë sekuestruar rreth një ton marijuanë të përpunuar në boçe, rreth 25,000 bimë marijuanë, rreth 70.000 euro cash, një revolver, një armë gjahu, një bllokues frekuencash dhe tre automjete, dy prej tyre të nivelit të lartë (luksoze).
Për mirëmbajtjen e këtyre plantacioneve ata kishin bërë lidhje të paligjshme, për të mashtruar mbi konsumin e energjisë elektrike, gjë që gjithashtu paraqiste rrezik për pronat fqinje për shkak të rrezikut të lartë të zjarrit në këto objekte, pasi nuk kishin masat e kërkuara të sigurisë. Është vlerësuar se konsumi i gjeneruar nga plantacionet e shkatërruara ka shkaktuar një mashtrim prej më shumë se 1.600.000 euro.