Tiranë, 8 gusht 2022 – Në Shqipëri, policia njoftoi sot se falë një operacioni të përbashkët me autoritetet italiane është bërë i mundur sekuestrimi i afro 1 tonelate marihuanë. Tre shqiptarë që i drejtonin tre skafe me të cilët e trasnportuan drogën në det, janë arrestuar në Shqipëri, ndërsa në Itali, në gjirin e Santa Maria di Leuca, në bregdetin e Lecces, është bllokuar një anije me vela, e drejtuar nga dy ukrainas, Bychkovi Serhii, 43 vjeç, dhe Senkevych Serhii, 62 vjeç. Në brendësi të mjetit lundrues është gjetur sasia e madhe e drogës, e ndarë në 153 pako.
Gjithçka ka nisur kur një helikopter i Guardia di Finanza-s italiane, i cili po kryente fluturime kontrolli për llogari të Frontex-it, Agjencisë europiane të rojeve kufitare e bregdetare, ka dalluar në thellësi të ujërave të Detit Jon, disa mjete të vogla lundrimi, nga të cilat po shkarkoheshin disa pako në një mjet me vela. Në këtë moment janë sinjalizuar autoritetet shqiptare dhe italiane, të cilat kanë nisur një operacion të bashkërenduar, në të cilin, siç u njoftua, u angazhuan 250 forca nga toka, ajri dhe deti.
Nga policia shqiptare në Vlorë u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë e Arbër Saraselit, 31 vjeç, Saverjo Imerajt, 22 vjeç, dhe Qemal Pekmezit, 19 vjeç. Ata u kapën ndërsa me tre skafet e tyre po ktheheshin në brigjet shqiptare. Në kërkim është shpallur dhe Gregor Likaj, 33 vjeç, ndërsa u sekuestruan edhe tri mjetet lundruese.
Anija me vela ku ishte ngarkuar droga u bllokua nga Guardia di Finanza e Gallipolit, derisa po lundronte Brenda ujërave territoriale italiane.
Sasia e madhe e marihuanës së bllokuar dëshmon për një riaktivizim të përpjekjeve për trafikimin e marihuanës ngë Shqipëria, përmes detit. Disa javë më pare, një gomone e shpejtë, e cila dyshohej se ishte e ngarkuar me lëndë narkotike, i shpëtoi ndjekies në det dhe u gjet një ditë më pas e djegur në breg.
Sipas autoriteteve italiane, gjatë vitit të shkuar nuk ishte rregjistruar asnjë rast i trafikut të marihuanës nga Shqipëria, ndërkohë që fluturimet e përvitshme të Guardia di Finanza mbi territorin shqiptar nxorrën në pah një rrije të sipërfaqeve të kultivuara me kanabis.
(Zëri i Amerikës)