Prishtinë, 26 prill 2023 – Në Kuvendin e Kosovës po zhvillohet një debat me përplasje të mëdha për gjendjen në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Gjatë debatit, i cili u kërkua nga opozita, pas arrestimit të Kryeshefit Ekzekutiv, Nagip Krasniqi, të dyshuar për korrupsion, dolën në shesh dyshime për afera të rënda korruptive në këtë koroporatë, në një periudhë të gjatë kohore.
Pozita dhe opozita drejtuan akuza për afera korruptive shumëmilionëshe në adresë të njëra-tjetrës
Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, e akuzoi kryeministrin Albin Kurti se po e mbron Krasniqin, i cili është emëruar në krye të KEK-ut pas ardhjes së tij në krye të qeverisë.
“Po flasim për dyshime për keqpërdorime marramendëse. Në çdo vend demokratik, normal, në momentin kur është bërë publik lajmi i arrestimit të shefit të energjisë së Kosovës, që jo për koincidencë, ka qenë shefi për energji në Vetëvendosje, një kryeministër normal do duhej të kërkonte shkarkimin imediat të bordit dhe kryeshefit, pa e paragjykuar pafajësinë e tij”, tha Krasniqi.
Deputetë të tjerë të kësaj partie përmendën edhe kontrata të ndryshme të KEK-ut që, sipas tyre, janë lidhur në mënyrë të dyshimtë.
Ramush Haradinaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se Qeveria e Albin Kurtit e ka model “lidhjen e shkurtër të korrupsionit”.
“Vetëvendosje e ka aplikuar një model korruptiv, i cili del nga kontrolli. Pra, po flasim për një model të veçantë dhe quhet ‘lidhje e shkurtër i korrupsionit’. Kurti e ka përcaktim lidhjen e shkurtër të korrupsionit. Kurti i ka intervistuar edhe anëtarët e bordit nëpër ujësjellës”, tha Haradinaj.
“Ju mund të thoni se Kurti nuk është i korruptuar, por ai është shefi i të korruptuarve. Ai ka menduar se vetëm dostat e tij janë të pakorruptuar”, tha Haradinaj.
Kritikave të opozitës iu kundërpërgjigjën deputetët e partisë në pushtet dhe ministrat e Qeverisë “Kurti”, duke i akuzuar qeveritë që janë udhëhequr nga opozita e sotme për keqpërdorime të shumta në sektorin e energjisë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e akuzoi Haradinajn se për shkak të tij prokurori special Elez Blakaj ka qenë i detyruar të largohej nga Kosova.
“Në Republikën e Kosovës një prokuror special është dashur ta lëshojë vendin për shkakun tënd, sepse, sa ke qenë kryeministër, i ke kërkuar raport me shkrim. Bëhet fjalë për Elez Blakajn. Kjo është ndërhyrje brutale në sistemin e drejtësisë”, tha ajo, ndër të tjera.
Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, foli për ato që kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cilësoi si “lidhje të shkurtra të korrupsionit”. Ai tha se gjatë dhjetë vjetëve të fundit Kosova ka blerë energji me vlerë 600 milionë euro nga kompania e Damir Fazliqit dhe Vuk Hamoviqit dhe ka pyetur kush kishte “lidhje të shkurtra” me këta dy persona që vijnë nga Serbia.
Ai tha se qe dy vjet, qëkur Nagip Krasniqi ka ardhur në krye të KEK-ut, nuk është importuar energji nga Serbia.
Ai tha se gjendja në KEK nuk mund të hetohet pa i përfshirë periudhën kur këtë korporatë e kanë udhëhequr Nijazi Thaçi dhe Arben Xhuka.
“Të gjitha pikëpyetjet dhe përgjigjet i kanë këta të dy”, theksoi Muja, duke iu referuar opozitës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pyeti deputetë e opozitës se si është e mundur të dijnë kaq shumë për tenderët.
“Desha t’ju pyes pse gjatë këtyre dy viteve keni folur aq pak për politikat, por dini aq shumë për tenderët. Desha, por, nuk do t’ju pyes, sepse ju njoh, andaj nuk ka nevojë për përgjigje”, u shpreh ajo.
Rizvanolli tha se Ministria e Ekonomisë është duke bashkëpunuar me bordin mbikëqyrës të KEK-ut për t’u siguruar se operimet në këtë korporatë do të vazhdojnë të zhvillohen me sukses.
Korporata Energjetike e Kosovës është një ndër ndërmarrjet kryesore energjetike në vend. Të gjitha asetet e saj janë në pronësi të Qeverisë së Kosovës.
(r.m.)