Prishtinë, 14 qershor 2021 – Partitë opozitare në Kosovë kanë thënë se vendimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu për të shkarkuar kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, është goditje e rëndë ndaj një institucioni të pavarur dhe shkelje e Kushtetutës.
Partia Demokratike e Kosovës, përmes deputetes Blerta Deliu Kodra, tha se vendimi i presidentes është sulm ndaj KQZ-së dhe “kapje” e këtij institucioni, vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në vjeshtë.
“Veprimi i presidentes përbën shkelje të Kushtetutës dhe ndërhyrje flagrante në institucionet e pavarura kushtetuese të vendit”, tha deputetja Deliu-Kodra në një konferencë për media.
Ndërsa partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një komunikate për media ka thënë se “me shqetësim të madh e ka pritur vendimin e sotëm të presidentes për ndërprerjen arbitrare të mandatit të Kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
“Vendimi, për më tepër, rrezikon edhe pavarësinë e mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, në prag të të cilave është Kosova. KQZ-ja, në këtë periudhë përgatitore ka pasur nevojë për stabilitet institucional. Ky stabilitet është cenuar. Prandaj, si i tillë, vendimi i sotëm është i papranueshëm dhe një goditje për lirinë dhe demokracinë në vendin tone”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Edhe 11 organizata joqeveritare në Kosovë e kanë kundërshtuar vendimin e presidentes Osmani.
“Ky vendim konsiderojmë se është i motivuar politikisht, si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit”, thuhet në reagimin e organizatave: Demokracia në Zhvillim, Instituti Demokratik i Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Instituti për Studime Politike, Lëvizja Fol, Organizata Nëna Tereze, “Çohu”, Syri Vizion, Demokracia Plus, INDEP dhe INPO.
Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë se marrja e këtij vendimi në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale përbën ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë, integritetin dhe mbarëvajtjen e punës së KQZ-së në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve.
Presidentja Osmani sot e bëri publik vendimin për lirimin e zonjës Valdete Daka nga detyra e kryetares së KQZ-së.
Në vendimin për shkarkimin e zonjës Daka, thuhet se “kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së”.
Pas shkarkimit të zonjës Daka, Presidentja Osmani e ka emëruar Kreshnik Radoniqin, kryetar të ri të KQZ-së.
(REL)