Shkup, 8 nëntor 2021 – Në Maqedoninë e Veriut, të hënën pasdite, partia opozitare VMRO-DPMNE e dorëzoi nismën në parlament për mocion votëbesimi ndaj kryeministrit Zoran Zaev, raporton Zëri i Amerikës.
Kjo parti i kishte dhënë ultimatum Zaevit që ta dorëzonte dorëheqjen në parlament deri sot në orën 14:30, përndryshe ajo do të ngrinte mocionin e votëbesimit ndaj tij.
Nënkryetari i VMRO-së, Aleksandar Nikollovski, tha se nismën e kanë nënshkruar 61 deputetë, një shumicë kjo e mjaftueshme për ta rrëzuar qeverinë.
Por, deputeti i partisë Alternativa, Skender Rexhepi, megjithëse e ka nënshkruar nismën e VMRO-së, ka thënë se nuk do të bëhet pjesë e një grupi ku bën pjesë edhe partia nacionaliste maqedonase ‘E Majta’, udhëheqësi i së cilës, Dimitar Apasiev, ka thënë se do të angazhohet për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Maqedonia e Veriut dhe për daljen e Maqedonisë së Veriut nga NATO
Zoti Rexhepi ka thënë se VMRO-ja nuk u kishte treguar se edhe drejtuesi i së Majtës do të merrte pjesë në takimin e të premtes për formimin e një shumice të re parlamentare.
Pa votën e deputetit të Alternativës, Rexhepit, nuk sigurohen 61 votat e nevojshme për rrëzimin e qeverisë. Megjithatë, VMRO-DPMNE pret që zoti Rexhepi të votojë për rrëzimin e qeverisë.
Parlamenti duhet të mblidhet në seancë deri të enjten, për të debatuar lidhur me mocionin e ngritur nga opozita. Nëse bie qeveria e zotit Zoran Zaev, presidenti i vendit duhet që brenda një afati prej dhjetë ditësh t’ia japë mandatin një politikani apo partie që garanton se ka formuar shumicën parlamentare prej 61 deputetësh në p0arlamentin prej 120 vendesh.
(r.m.)