Prishtinë, 11 shtator 2023 – Partitë opozitare në Kosovë thanë të hënën se veprimet e qeverisë lidhur me situatën në veri të vendit dhe aleatëve perëndimorë, e kanë dobësuar pozicionin e Kosovës në procesin e bisedimeve me Serbinë, të cilat pritet të vazhdojnë të enjten.
Udhëheqësit e të dyja vendeve pritet të takohen në Bruksel në një përpjekje të Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën në veri të Kosovës dhe zbatimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi të hënën mbrëma një bisedë me të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar rreth këtij takimi. Në një njoftim për media nga zyra e kryeministrit thuhet se “ai shprehu gatishmërinë e tij për t’u angazhuar aktivisht në takimin e nivelit të lartë politik të së enjtes në Bruksel, teksa falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën”.
Opozita u shpreh të hënën e shqetësuar me qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj bisedimeve në një periudhë kur vendi është nën masa ndëshkuese perëndimore për shkak të situatës në komunat veriore të Kosovës.
“Ne jemi ata të cilët jemi sanksionuar fatkeqësisht si rezultat i politikave dhe i drejtimit të gabuar të kryeministrit Kurti. Nuk shkon Serbia e sanksionuar por Kosova e sanksionuar, prandaj ky është një dëm jashtëzakonisht i madh që kjo qeveri i ka bërë vendit gjatë kësaj periudhe të qeverisjes. Unë sot nuk mund të paragjykoj se cili mund të jetë rezultati i këtij takimi sepse ju e dini që kryeministrin Kurti në këtë proces e karakterizon një jotransparencë jashtëzakonisht e madhe”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.
“Derisa nuk ka bisedë për njohje reciproke kjo është vetëm një lojë ashtu siç e kemi thënë në grackën e (presidentit serb) Aleksandar Vuçiçit ku Serbia tashmë po shihet që është e favorizuar e Kosova është nën sanksione”, tha deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.
“Dialogu ashtu siç po e menaxhon dhe udhëheq kryeministri Kurti është duke e mbajtur Kosovën peng, është duke e mbajtur Kosovën në krizë, është duke e mbajtur Kosovën nën sanksione. Ai (kryeministri Kurti) duhet të jap një sqarim pas 14 shtatorit se çfarë do të bëjë për shkak se ky pozicion i ka krijuar disa rrethana të cilat pa asnjë dyshim janë duke e kthyer Kosovën prapa, janë duke e thelluar krizën dhe janë duke e dëmtuar Kosovën si në rrafshin e jashtëm e gjithashtu edhe në rrafshin e brendshëm”, tha shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
Situata në veri u tensionua nga fundi i muajit maj pasi grupe qytetarësh serbë u hodhën në protesta për të kundërshtuar dërgimin me polici në zyrat e tyre të kryetarëve shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e muajit prill, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Në fillim të muajit qershor Bashkimi Evropian kërkoi uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe është pajtuar për organizimin e zgjedhjeve të reja ndërsa ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Shefja e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari – Lila, akuzoi Serbinë për tensionimin e situatës ndërsa i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për trajtim të barabartë të palëve në bisedime.
“Ne presim që të paktën nga bashkësia ndërkombëtare të ketë vlerësim të drejtë dhe të saktë mbi atë se cila palë është destruktive dhe kush në fakt e ka eskaluar deri më tani situatën. Përndryshe qëndrimi i Republikës së Kosovë në këto takime ka qenë në vazhdimësi i njëjtë që të dy palët janë të barabarta dhe si të tilla duhet të trajtohen, Kosova nuk mund të jetë njëanshëm subjekt i trajtimit në këto diskutime por që ajo çfarë mund të themi me siguri të plotë është që jemi të përkushtuar ndaj dialogut dhe arritjes së marrëveshjes finale për njohje të ndërsjellë”, tha zonja Kusari – Lila.
Bashkimi Evropian i ka vlerësuar veprimet e qeverisë së Kosovës si “hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur”, por ka theksuar se nevojiten hapa të tjerë për të zbutur krizën në veri.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)