Opozita e dërgon përsëri në Kushtetuese çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës

Tiranë, 25 prill 2025 – Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi të mërkurën se ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shpallur anti-kushtetues vendimin e mazhorancës në Kuvend për mandatin e deputetes Olta Xhacka.

Në një votim të paprecedentë më 11 prill shumica parlamentare vendosi të bllokojë me forcën e kartonit zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i kërkonte Kuvendit të dërgonte për interpretim në këtë gjykatë shqyrtimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes socialiste.

Duke e justifikuar këtë qëndrim si “e drejtë sovrane” e parlamentit deputetët socialistë votuan për të dytën herë kundër dërgimit në Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve, sipas të cilëve Xhaçka ka shkelur Kushtetutën pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik nga qeveria.

Tashmë grupi i PD-së kërkon nga Kushtetuesja rrëzimin e këtij vendimi dhe dhënien një interpretimi përfundimtar të zgjidhjes së konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, 1/10 e deputetëve.

Në kërkesën e opozitës vihen në dukje se zbatimi i vendimeve të GJK-së është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor.

“As Kuvendi dhe asnjë institucion publik nuk mund të shpall “sovranitetin” përkundrejt vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo do të rrënonte parimin kushtetutës “të balancës dhe kontrollit mes pushteteve”, duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e shtetit demokratik, sepse do të merrte tiparet e qarta të një puçi kushtetutes institucional”- thuhet në kërkesë.

Firmëtarët kërkojnë shqyrtimin me përparësi të kësaj çështje me argumentin se “paraqet një rëndësi të veçantë për garantimin e parimeve të shtetit të së drejtës”.

Që nga nisja e shqyrtimit të kësaj çështje në Kuvend, në qershor 2022, mazhoranca doli në mbrojtje të Xhaçkës, duke zvarritur procesin dhe duke rrëzuar kërkesën e opozitës në Kuvend në nëntor 2022. Pasi opozita u ankua në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit vendosi në janar 2023 të shfuqizojë vendimin e Kuvendit si antikushtetues dhe i kërkoi atij që të vendoste për dërgimin pranë kësaj gjykate të mocionit te 1/10 së deputetëve.

Më shumë se 1 vit pas këtij vendimi, mazhoranca votoi sërish kundër.

Në praktikën e mëparshme parlamentare, Kuvendi ka dërguar për interpretim në gjykatë mandatet e deputetëve kur ndaj tyre ka pasur akuza apo indicie se kanë shkelur nenin 70 të Kushtetutës që ndalon deputetët të përfitojnë nga të mirat publike.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka apeluar disa herë kur është pyetur për rastin “Xhaçka” që vendimet e kësaj gjykate janë përfundimtare dhe të zbatueshme.

(Reporter.al)