Prishtinë, 2 prill 2021 – Partitë opozitare në Kosovë – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – e kanë kundërshtuar nisëm e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, për ndryshimin me procedurë të përshpejtuar të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Këto parti kanë vlerësuar si të ngutshëm veprimin e Lëvizjes Vetëvendosje Që këtë nismë ligjore ta bëjë para zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
LDK-ja, e cila ka thënë se do të marrë pjesë në zgjedhjen e presidentit, e ka cilësuar këtë nismë si “shantazh” për opozitën.
“LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa një diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Shefi i grupit parlamentare të PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se partia e tij nuk pajtohet që kjo çështje të trajtohet me urgjencë dhe pa pjesëmarrjen e të gjitha subjekteve politike, të ilntitucioneve të pavarura dhe të shoqërisë civile.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se procedimi i këtij ligji me nguti bëhet vetëm në sisteme totalitare.
“Vetëm në sisteme totalitare, në sisteme ku ka deficite serioze të demokracisë, nxirret për amendamentin dhe ndryshim një ligj i cili rregullon të drejtën themelore për të qenë të zgjedhur dhe për të zgjedhur”, ka thënë Tahiri.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje thotë se ndryshimi i këtij ligji buron nga nevoja për shmangien e problemeve të shumta që janë hasur gjatë zgjedhjeve të deritashme.
Ndër ndryshimet e propozuara të këtij ligji është edhe krijimi i mundësisë që votuesit jashtë Kosovës te votojnë edhe në ambasadat dhe zyrat konzullore të Kosovës jashtë vendit.
(r.m.)