Prishtinë, 24 nëntour 2022 – Partitë opozitare në Kosovë e kanë mirëpritur arritjen e marrëveshjes me Serbinë për targat ilegale serbe.
Por, nga kryeministri Albin Kurti kërkuan më shumë sqarime rreth marrëveshjes së arritur dhe rreth dialogut për marrëveshjen finale.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), deklaroi enjten se e vlerëson dakordimin e mbrëmshëm për targat, por e quan të panevojshme dhe të dëmshme “dramën populliste” të krijuar nga institucionet e vendit ditët e fundit.
“LDK-ja e ka parë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore”, thuhet në deklaratën e LDK-së.
“Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit”, thuhet në deklaratë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, u deklarua lidhur me marrëveshjen në seancën të Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se e mirëpret dakordimin që është arritur të mërkurën në Bruksel që, sipas tij, shmang përshkallëzimin dhe eskalimin potencial të situatës në veriun e vendit.
Por, Krasniqi tha se tani mbetet e paqartë nëse pritet kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës.
Ai e kritikoi Kurtin për deklaratat e tij lidhur me qëndrimin e përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Joseph Borrell.
“Borrellin e ke favorizuar më shumë ti se ne. Por, ai është thjesht përfaqësues i BE-së dhe ti do të punosh me të. Narracioni që po mundoheni ta krijoni nuk do t’ju shërbejë as juve dhe as militantëve juaj”, theksoi Krasniqi.
Edhe, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, tha se e mirëpret marrëveshjen, e cila, sipas tij, shmangu rrezikun për përshkallëzim të situatës në veri.
Megjithatë, ai theksoi se me marrëveshjen nuk është zgjidhur situata në veri.
“Po bëjmë ‘hopa’ pa e kaluar lumin. Sfida që na pret është rikthimi në institucione i atyre që i kanë lëshuar vendet e punës apo plotësimi i atyre vendeve me rend e ligj”, tha Haradinaj.
“E kam ditë që po të vijmë te një marrëveshje e tillë, sepse i kam dëgjuar zotin Escobar e Lajçak duke thënë se integriteti territorial nuk është i negociueshëm, as sovraniteti e kushtetutshmëria. Mos të eksperimentojmë me idenë se ndonjë rregullim tjetër na shpëton nga Asociacioni], shtoi ai.
“Nëse duam të shpëtojmë nga Asociacioni, urdhëroni të ulemi e të diskutojmë bashkë, por jo duke rrezikuar tërësinë territoriale”, theksoi Haradinaj.
(r.m.)