Opozita kritikon ambasadorët e propozuar nga Rama, i quan “ambasadorë politikë”

Tiranë, 9 qershor 2023 – Komisioni i Politikës së Jashtme në Kuvend nisi të premten seancat dëgjimore me kandidatët për ambasadorë të propozuar nga qeveria, ku spikasin emrat e ish-deputetëve të Partisë Socialiste dhe kandidatë pa karrierë diplomatike.

Sipas propozimeve të dërguara në Parlament nga ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, komisioni dëgjoi fillimisht Meri Kumben, aktualisht zëvendësministre e Kulturës, kandidate për ambasadore në Izrael, juristjen Zhaklina Peto, kandidate për ambasadore në Mal të Zi, ish-deputetin socialist, Ervin Bushati, kandidat për ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ish-deputeten socialiste Vasilika Hysi kandidate për përfaqësuese të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe në organizatat tjera ndërkombëtare në Gjenevë.

Përzgjedhja e emrave u prit me kritika nga opozita, e veçanërisht dy kandidatët që vijnë nga radhët e PS-së, për shkak të politizimit të tyre dhe mungesës së përvojës në fushën e diplomacisë.

“Do të doja kandidatë që vijnë nga administrata e Ministrisë së Jashtme, që kanë ndërtuar një karrierë në diplomaci”, tha Dritan Shehi.

Ndërsa, Tomorr Alizoti vuri në dyshim paanshmërinë politike në kryerjen e detyrës së përfaqësuesit diplomatik dhe i cilësoi emërimet e reja si “qoka” politike të kryeministrit Rama.

“Politika e jashtme nuk i përket PS-së”, iu drejtua ai Bushatit.

Nënkryetari i komisionit, Agron Gjekmarkaj, vuri në dyshim edhe integritetin e emërimeve të reja.

“Në diplomacy, pa hequr ndonjë emër cilësor, ka shumë mediokritet”, tha ai, duke ia kujtuar Bushatit se ai kishte qenë publikisht aktiv në mbrojtje të qeverisë dhe nuk ofron garanci për paanshmëri politike si ambasador.

Bushati u përgjigj se detyrën e ambasadorit e shikon si një mision patriotik.

“Kam mësuar që çështjet patriotike kryesore të Shqipërisë, jashtë dyerve të politikës, na bëjnë gjithmonë bashkë”, tha ai.

Gjatë seancës me Vasilika Hysin, deputetët e opozitës e vlerësuan karrierën e saj jashtë politikës, si mbrojtëse e të drejtave të njeriut, të cilën e vlerësuan më të dobishme për vendin se sa emërimi ambasadore.

“Me që, kur ka qenë PD-ja në pushtet, keni kërkuar të drejtat e njeriut, do t’ju bënte edhe më të moralshme tani që është PS-ja në pushtet, të vini në detyrë të drejtat e njeriut”, tha Alizoti.

Hysi tha se emërimi si ambasadore nuk do ta zbehë rolin e saj për forcimin e të drejtave të njeriut, pasi puna që do të bëjë lidhet me organizatat dhe me misionet ndërkombëtare që vëzhgojnë zbatimin e të drejtave të njeriut.

Në listën e kandidatëve të rinj është edhe Fatmir Velaj, ish-deputet dhe këshilltar i kryeministrit Rama, cili është propozuar për drejtimin e misionit diplomatik në Austri, si edhe gazetari Mustafa Nano, i propozuar për ambasador në Zvicër.

Kryeministri Rama ka propozuar edhe lëvizje paralele ambasadorëve dhe të të konsujve aktualë në përfaqësi të tjera diplomatike.

(Reporter.al)