Shkup, 8 qershor 2021 – Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE bllokoi të martën pasdite tre kryqëzime kryesore në qendër të Shkupit, për të shprehur në këtë mënyrë pakënaqësinë lidhur me pozitën e qeverisë së Maqedonisë së Veriut në bisedimet me Bullgarinë fqinje mbi mosmarrëveshjet rreth historisë dhe gjuhës maqedonase. Drejtues dhe zyrtarë të lartë të opozitës, të mbështetur nga dhjetra anëtarë dhe përkrahës, me autovetura bllokuan udhëkryqin ndërmjet Parlamentit dhe spitalit të qytetit, udhëkryqin tjetër pranë qendrës tregtare Mavrovasja dhe një tjetër tek pallati “Nova Makedonija”, dhe në disa qytete të tjerë të vendit.
VMRO-ja e fajëson qeverinë e zotit Zaev se nuk është transparente, ndërsa bisedimet i quan “të fshehta midis (Zoran) Zaevit dhe (Vllado) Buçkovskit (i ngarkuari i posaçëm i qeverisë në bisedimet me Bullgarinë) me Sofjen zyrtare që kanë të bëjnë me të ardhmen e Maqedonisë dhe proceset euro-atlantike të popullit maqedonas dhe shtetit në kuadër të Bashkimit Evropian”, siç është shprehur drejtuesi opozitar Hristijan Mickovski.
Opozita e quan tradhëti mënyrën e qasjes së Kryeministrit Zaev dhe qeverisë së tij ndaj problemit me Bullgarinë, ndërkohë që kërkon në mënyrë urgjente që Zaev ta zbardhë publikisht atë që njihet si “udhërrëfyes” në bisedimet midis dy palëve. Në të kundërtën, opozita maqedonase kërcënon se për çdo ditë do të bllokojë udhëkryqet në qendër të kryeqytetit dhe nëpër qytete të tjera.
Ndërkohë, kryeminisrti Zaev tha në një konferencë shtypi se me Bullgarinë po bisedohet në nivel sektorial për ndërtimin e hekurudhave, rrugëve, të Korridorit 8 dhe lidhjeve midis dy vendeve, për bashkëpunimin midis ministrive për shtimin e bashkëpunimit. “Ky është udhërrëfyesi për të cilin po bisedohet dhe nëse miratohet kjo do të konfirmohet në një konferencë ndërqeveritare nga ministrat e jashtëm të dy vendeve”, tha zoti Zaev. Ai shtoi se gjithçka tjetër po bisedohet nën drejtimin e kryesimit të Portugalisë (me BE-në).
Dy vendet arritën një marrëveshje për fqinjësi të mirë dhe mirëkuptim në vitin 2017, por secila nga palët e akuzon tjetrën se po e shkel atë, apo se po e interpreton ndryshe. Autoritetet e përkohshme qeveritare bullgare kanë theksuar qëndrimin e palëkundur për sa i përket çështjes me Maqedoninë e Veriut, që përkatësisht gjuhën e saj e konsideron si dialekt të bullgarishtes, teksa ngul këmbë që fqinji më i vogël ta njohë origjinën bullgare të një sërë figurash historike të cilat shënohen nga të dy vendet.
Në një përpjekje të fundit nga BE-ja për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që rezultoi pa sukses, ishte ofruar, sipas medias në Sofje, një propozim jo tërësisht i panjohur, por me disa elemente që kishin të bënin me zotimet që Maqedonia e Veriut të pranojë se gjuha maqedonase është kodifikuar në vitin 1945 dhe se referenca Maqedonia e Veriut ka të bëjë ekskluzivisht me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Por, Bullgaria nga ana tjetër ngul këmbë që të theksohen rrënjët e gjuhës maqedonase, duke e cilesua si një dialekt perëndimor i bullgarishtes.
Çështja ka rezultuar në veton bullgare për hapjen e bisedimeve me BE-në, një veprim që veç Maqedonisë së Veriut, është faktor edhe për ambicjet e Shqipërisë, meqenëse drejtues të shteteve të rëndësishme, anëtare të Bllokut kanë theksuar qëndrimet për rrugëtimin e pandarë të të dy vendeve drejt integrimit evropian.
(Isak Ramadani, Zëri i Amerikës)