Tiranë, 9 nëntor 2023 – Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot një tjetër seancë plenare të pazakontë, ndërsa deputetët opozitarë përkrahës të ish kryeministrit Sali Berisha përmbysën karriget dhe ndezën tymuese, që mbuluan sallën, ndërsa shumica socialiste shqyrtoi brenda pak minutash projektligjet e rendit të ditës.
Deputetët opozitarë kërkojnë ngritjen e disa komisioneve hetimore parlamentare, ndërsa socialistët pohuan se ata po përdoren si mburojë nga ish kryeministri Berisha, për t’iu shmangur drejtësisë si person nën hetim për aferën korruptive të ish kompleksit Partizani.
Ministri Taulant Balla tha se zoti Berisha dhe ndjekësit e tij nuk do t’ia arrijnë dot të bllokojnë institucionin dhe të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë.
“Mos u keqpërdorni nga interesi personal i një njeriu të vetëm, i cili ka marrë peng Partinë Demokratike prej 30 vjetësh. Këto veprime nuk kanë të bëjnë as me opozitarizmin dhe as me parlamentarizmin. Nëse pretendohet shkelja e Kushtetutës, pse nuk mblidhni 28 firma dhe të drejtoheni në Gjykatën Kushtetuese”, tha zoti Balla.
Ish kryeministri Sali Berisha tha se kjo është një betejë pa kthim për çdo qytetar, për të drejtat themelore të shqiptarëve, që janë shkelur nga kjo shumicë, dhe se parlamenti nuk do të bojkotohet.
“Kur shkelet Kushtetuta nuk ka parlament. Aty janë shkelur të drejtat themelore të opozitarëve, që përfaqësojnë popullin opozitar. Parlamenti po funksionon njëlloj sin ë diktaturë. Nevojitet rivendosja e të drejtave kushtetuese të deputetëve, dhe lejimi i krijimit të komisioneve hetimorë parlamentarë, që janë frenuar nga Edi Rama”, tha zoti Berisha.
Deputetët mbështetës të tij janë përpjekur të ndërpresin mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe seancat plenare.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe deputetë të tjerë përkrah tij nuk morën pjesë në seancën e sotme.
Zoti Basha ka depozituar në Kuvend një projekt për vetingun e politikanëve, ku synohet veç të tjerat një kontroll i pastërtisë së pasurive të tyre, në një rrugë të ngjashme me procedurat që po ndiqen për vetingun në organet e drejtësisë.
Ndarjet në Partinë Demokratike vazhdojë e thellohen prej dy vjetësh, kur ish kryeministri Sali Berisha u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion dhe cënim të demokracisë, ndërsa zoti Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)