Prishtinë, 2 mars 2023 – Partitë opozitare në Kosovë kritikuan të enjten kryeministrin, Albin Kurti, për mungesë transparence lidhur me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, për të cilën ai u pajtua të hënën në Bruksel në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Me 27 shkurt Bashkimi Evropian tha se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan për një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e saj, gjë që do të kërkojë më shumë bisedime.
Në një debat në parlamentin e Kosovës të enjten, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se kjo marrëveshje është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në procesin e dialogut me Serbinë për shkak të, siç tha, neutralitetit ndaj statusit të Kosovës.
“Neutraliteti mbi statusin është dëm historik për Kosovën. Madje edhe në marrëveshjet paraprake që kishin ambiguitet si ajo e fusnotës ndër të tjera, ishte referencë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. A e kuptoni kryeministër dëmin që i keni bërë vendit me këtë vlerë në preambulë?”, tha zoti Abdixhiku.
Por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka një keqinterpretim meqë sipas tij pjesa e marrëveshjes ku përmendet statusi nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën.
“Faktorët ndërkombëtarë e dinë shumë mirë që nuk është në pyetje pavarësia e Kosovës, por në thelb Kushtetuta defektuoze është ajo e Serbisë. Nëse ka një shtet në Ballkanin Perëndimor që e ka statusin e pacaktuar është pikërisht Serbia. Unë atë Kushtetutë nuk e pranoj dot sepse në fjalinë e dytë të preambulës Kushtetuta e Serbisë thotë që Kosova është pjesë integrale e Serbisë, unë nuk mund ta pranoj atë. Pra nga mosnjohja reciproke duhet të kalojmë në njohje reciproke. Ata e kanë dëgjuar Serbinë duke thënë që nuk e njeh Kosovën, por e kanë dëgjuar edhe Kosovën duke thënë që nuk e njeh Serbinë. Prandaj e keni ‘status questions’, plural – shumës deputeti Abdixhiku, mos thuaj çështja, por çështjet, pyetjet”, tha ai.
“Nga situata e para dy viteve kur të gjithë aleatët tanë flisnin për marrëveshje finale, ligjërisht të detyrueshme, ndërkombëtarisht obligative e me njohjen e ndërsjellë në qendër, kryeministri i Kosovës ka përfunduar në një kompromis tepër të rëndë të një marrëveshjeje të përkohshme që më nuk e ka njohjen në qendër, e ka Asociacionin e ndoshta autonominë në qendër dhe me pranimin zyrtar që Serbia më nuk ka nevojë të na njeh si shtet, të paktën për sa të jetë kjo marrëveshje në fuqi”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Kryeministri Kurti tha se neni i dhjetë që flet për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, është i vetmi që paraqet problem në këtë marrëveshje, por tha se ky nen duhet të shihet si detyrim ndaj tërësisë.
“Domethënë unë e kam pranuar që ekziston një thes me marrëveshje dhe për t’i zbatuar rreth 40 marrëveshje, njëherë duhet të sigurohemi që ato do të zbatohen sipas rrjedhës së tyre kohore e gjithashtu vetëm ato për të cilat ka një autorizim kushtetues e ligjor në Republikën tonë për t’i zbatuar. Nëse më pyesni a duhet zbatuar ato që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i aleatëve pret që të zbatohen sepse janë ratifikuar e miratuar nga qeveritë e legjislaturat e mëhershme, përgjigja ime është po, por vetëm nëse zbatohen të gjitha dhe në përputhje me përcaktimet kushtetuese e ligjore të Republikës sonë, duke respektuar demokracinë e barazinë, të drejtat e njeriut e simetrinë. Nuk lejoj përjashtime, veçime apo fokusime në një. Kaq mund të them për këtë pikë, tash për tash”, tha ai.
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, shprehu mbështetjen e kësaj partie për marrëveshjen e bazuar në propozimin evropian, i cili tha se ofron qëndrueshmëri, siguri dhe rrugë të qartë të Kosovës në integrimet euro atlantike.
“Mbështetjen për këtë dokument e ke, por ke kujdes se udhërrëfyesi mund të prodhojë efekte që nuk e ndihmojnë paqen dhe rrugëtimin tonë, e mbi të gjitha mund të krijojë institucione, struktura të cilat e pengojnë marrëveshjen finale”, tha zoti Tahiri.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar takime të reja në kuadër të diskutimeve rreth zbatimit të propozimit evropian që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.
I dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak pritet të vizitojë të dyja vendet për të diskutuar planin e zbatimit të marrëveshjes para se të organizohet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga mesi i marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
(Edlira Bllaca,Zëri i Amerikës)