Prishtinë, 2 maj 2024 – Deputetët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për mosluftim të korrupsionit brenda ekzekutivit dhe, siç thanë, për mbrojtjen e të akuzuarve për rastet korruptive.
Seanca u mbajt lidhur me publikimin e raportit të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) për të drejtat e njeriut, në të cilin, ndër të tjera, si problem ishte theksuar “korrupsioni serioz në Qeveri”.
Shefi i Grupit Parlamentar të subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, gjatë seancës së jashtëzakonshme të enjten, që u thirr për të diskutuar për këtë raport, tha se gjetjet e raportit janë edhe një arsye më shumë që vendi të shkojë në zgjedhje sa më shpejt.
“Kërkojmë që t’i trajtojmë gjetjet dhe t’i japim rekomandime kësaj qeverie për t’i adresuar deri në kohën kur vendi do t’i drejtohet kutive të votimit dhe vendi do ta krijojë një qeveri, e cila do të jetë shpresë për qytetarët”, tha ai.
Sipas tij, Kosova me ekzekutivin aktual, nuk mund të anëtarësohet as në organizata ndërkombëtare, në kohën kur, sipas tij, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, përballet me akuzë për mosdeklarim të pasurisë.
Në raportin e fundit të DASH-it për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2023, që u publikua javën e kaluar, thuhet se në Kosovë ka pasur “disa raportime për korrupsion në Qeveri” dhe se “zyrtarët, nganjëherë, përfshihen në praktika korruptive pa u ndëshkuar”.
Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), tha se raporti është krejtësisht normal dhe nuk ka “asgjë të jashtëzakonshme” në të.
Duke folur për korrupsionin në qeveri, Kusari-Lila tha se raporti i DASH-it është bazuar në hetime penale dhe jo aktakuza.
“Në raport përmendet korrupsioni në Qeveri duke u bazuar në hetime penale, pra nuk flitet për aktakuza, sepse nuk ka të tillë, as për procese gjyqësore as dënime për korrupsion, vetëm për kallëzime. Këto kallëzime mund të bëhen nga individ, opozita apo trupa të kontrolluar prej tyre”, tha ajo.
Armend Zemaj, nga subjekti opozitar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se raporti i publikuar më 22 prill ka konfirmuar edhe njëherë mendimin e partisë së tij se Qeveria Kurti nuk e lufton korrupsionin.
“Raporti rrënoi përtokë një propagandën e shumicës se e kemi luftuar korrupsionin. Në fakt ju po i luftoni ata që e luftojnë korrupsionin, tani që kemi raportin i cili e ka konfirmuar secilin shqetësim si LDK, tani me vulën e SHBA-së jeni hajna të certifikuar, sepse Qeveria juaj po emërtohet korrupsion serioz qeveritar”, tha ai.
Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tha se Qeveria Kurti është “rrethuar me terrin e arbitraritetit dhe arrogancës”.
“Në të gjitha aferat që lidhen me keqmenaxhimin e parasë publike, aferat korruptive që janë publike, ka pasur mbrojte në formë të një luftëtari të një mbrojte të një të zeze”, tha ai.
Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2023 ka konstatuar se Kosova vazhdon të përballet me probleme serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe me problemin e dhunës me bazë gjinore.
Në raportin e DASH-it u përmend se më 2023 nuk ishte raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.
(Radio Evropa e Lirë)