Opozita reagon kundër politikave të Qeverisë që shpien drejt izolimit të Kosovës

Prishtinë, 3 korrik 2023 – Partitë opozitare në Kosovë kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin hapa të ndryshëm për të kundërshtuar politikat e Qeverisë së Kosovës apo më saktë të Kryeministrit Albin Kurti, të cilat,  sipas tyre, “po e çojnë vendin drejt izolimit”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha të hënën se subjekti i tij nga sot do të shkëpusë dhe pezullojë çdo lloj komunikimi zyrtar me Kryeministrin Albin Kurti dhe me Presidenten Vjosa Osmani, për shkak të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

“Nga sot shkëpusim dhe pezullojmë çdo lloj komunikimi zyrtar me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, përveç në situata emergjente apo të jashtëzakonshme ose për të diskutuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Këta janë njerëzit që e kanë çuar Kosovën nën sanksione nga SHBA-të, këta janë njerëz që e kanë ndryshuar kursin euro-perëndimor dhe euro-atlantik të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë, këta janë njerëzit që tashmë i kanë sjellë sanksione dhe masa ndëshkuese nga BE-ja”, tha ai, pas mbledhjes se Këshillit drejtues të partisë.

Zoti Krasniqi tha se kërkesa e tyre kryesore tashmë është mbajtja e parakohshme e zgjedhjeve parlamentare.

“Qoftë përmes dorëheqjes së Kryeministrit Albin Kurti qoftë përmes shpërndarjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës sepse kjo shumicë parlamentare edhe zgjedhjet e kaluara nuk i kanë prodhuar këto institucione për të shkatëruar çdo raport të Kosovës me aleatët dhe me partnerët tanë perëndimorë”, tha Krasniqi.

Ai paralajmëroi se, nga dita e hënë. Deputetët e PDK-së nuk do të votojnë në asnjë nismë ligjore apo vendim në Kuvendin e Kosovës.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) paralajmëroi reagimin e saj për ngërçin e krijuar nga Qeveria Kurti me partnerët ndërkombëtarë. Përfaqësuesi i saj e bojkotoi mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, çka e pamundësoi caktimin e rendit të ditës për seancën e ardhshme plenare.

“Ne si grup parlamentar vlerësojmë së është e dëmshme për Kosovën dhe është e pamundur që të sillemi në mënyrë normale sikur nuk ka ndodhur asgjë. Prandaj, nuk do të marrim pjesë në mbledhjen e Kryesisë as në të ardhmen”, tha shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi.

Më herët, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar një nismë për, siç ka thënë, “artikulimin e një mendimi të përbashkët shoqëror, si rrugë e re e Kosovës, përballë politikave përplasëse të qeverisë së Kosovës me aleatët historik të saj”.

Ai ka njoftuar se së shpejti do të fillojë diskutime të gjera “për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese”.

Ndërkaq, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje subjekteve tjera të opozitës që të mbështesin mocionin për shkarkimin e Kryeministrit Albi Kurti, të cilin e ka inicuar kjo parti.

“Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë”, ka shkruar Haradinaj në rrjetet sociale.

Ai e ka cilësuar si “interesin kombëtar” shkarkimin e Kryeministrit Kurti.

Javën e kaluar, Bashkimi Evropian mori vendim për marrjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të shpërfiilljes së kërksave për shtendosjen e situatës në pjesën veriore të Kosovës dhe vazhdimit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.  

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i quan të padrejta masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, duke theksuar se “nuk mund të bëhet kompromis me sundimin e ligjit dhe kushtetutshmërinë e vendit”.

Kosova po përballet me një nga krizat më të thella në marrëdhëniet e saj me aleatët ndërkombëtarë për shkak të situatës në pjesën veriore të Kosovës.

(r.m.)