TIRANË, 11 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Opozita po zhvillon protestën e paralajmëruar në kryeqytet, ndërsa kryetari i PD-së, Sali Berisha e ka cilësuar nisje të revolucionit demokratik, duke ftuar qytetarë edhe nga qytete të tjera të vendit të bashkohen në shesh.
Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe sheshin “Nënë Tereza”, ndërsa në orën 12:00 nisën marshimin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, drejt selisë së Kryeministrisë.
Sipas Partisë Demokratike, protesta nuk ka një limit kohor se kur do të mbarojë pasi këtë do e përcaktojnë vetë qytetarët.
Me moton “Shqipërisë i dalim zot” dhe me pankarta në duar, protestuesit e thirrur nga opozita kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.
Opozita akuzon kryeministrin Rama se ka paguar ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, McGonigal për të shkatërruar PD-në, ndërsa Kryeministri është shprehur se nuk ka asnjë lidhje me hetimin në SHBA.
Ndërkohë, Policia ka njoftuar se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi.
Meta: Rama nuk i shpëton dot llogaridhënies
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e cilësoi protestën e sotme të opozitës historike dhe madhështore.
“Sot është prova e dinjitetit më të lartë qytetar dhe patriotik, është ora për t’u përballur në një rezistencë pa kthim me këtë regjim të kalbur, hajdut. Edi Rama e përdori pushtetin për veten dhe është i gatshëm që të kënaqë çdo mafioz, të brendshëm dhe ndërkombëtar, vetëm që të shtyjë dhe disa ditë në pushtet”, tha ai.
Meta theksoi se “Rama e ka të qartë se nuk i shpëton dot llogaridhënies.
“Afera korruptive që ka tronditur mbarë botën në të dyja anët e Atlantikut, është afera që ka derdhur kupën e zemërimit. Rama e ka të qartë se llogaridhënies s’i shpëton dot. Do japë llogari për shkeljet e Kushtetutës që ka bërë”, tha ai.
“Llogaridhënies nuk i shpëton dot edhe pse ka braktisur Kuvendin prej 3 javësh. Do japë llogari për shkatërrimin e Parlamentit dhe për bllokimin e të gjitha iniciativave dhe projektligjeve të opozitës që janë paraqitur në Kuvend. Rama kërkon të shtojë korrupsionin e tij, do japë llogari dhe për bllokimin e komisioneve hetimore, për përjashtimet staliniste të deputetëve të opozitës dhe nga e drejta e tyre që të përfaqësojnë qytetarët. Do japë llogari deri në fund për pengmarrjen e integrimit europian, sepse ai i është vënë kundër haptaz shtetit ligjor. E zëvendësoi procesin e integrimit europian me korrupsion ndërkombëtar, siç e di e gjithë bota”, tha Meta.
Berisha: Rama nuk është më legjitim
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e mbajtur para protestuesve tha se “sot mediet e gjithë botës po flasin të vërtetën që shprehu opozita dy muaj më parë në protestë”.
“Në protestën e fundit, opozita properëndimore e Shqipërisë, u tregoi të vërtetën liderëve europianë se Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në Europë. E vërteta kurrë nuk mbulohet dot. Sot mediet e gjithë botës po flasin të vërtetën që shprehu opozita dy muaj më parë në atë protestë. Sot mediet botërore mbajnë në faqen e parë skandalin, Uotergejtin e shekullit të 21-të”, tha Berisha.
Sipas tij, “në këtë skandal, Edi Rama është i vetmi kryeministër që përmendet 14 herë që korruptoi njërin nga zbuluesit më të fuqishëm të planetit”.
“Dikur Shqipëria bënte lajmin e botës për pritjen madhështore për presidentin e SHBA, sot Shqipëria përbën lajmin e botës se Rama korrupton shefin e inteligjencës së FBI, partnerit tonë më strategjik, udhëheqësit të Aleancës së Atlantikut të Veriut”, tha ai.
Berisha u shpreh se “pas këtij akti të pabesë ndaj aleatit të madh të kombit shqiptar, SHBA-së, Edi Rama nuk është më legjitim”.
“Edi Rama, ti je një rrezik madhor për sigurinë e Shqipërisë, rajonit dhe më gjerë. Revolucioni ynë do të fitojë. Jep dorëheqjen dhe largohu”, tha Berisha.
Berisha i bëri thirrje SHBA-së dhe BE-së të hetojnë se çfarë ndodhi me opozitën shqiptare.
“Edhe njëherë theksoj, nuk ishte aleancë mes qeverive perëndimore dhe Edi Ramës.
Por aleancë e rrezikshme mes individëve, ambasadorë, zyrtarë, që bënë gjithçka për të mbështetur Edi Ramën. Nga kjo tribunë, në emrin tuaj, në emrin e shqiptarëve që janë sot dhe që mbyllën sytë për ideale demokratike, i bëj thirrje qeverisë së SHBA, Kongresit, institucioneve të vendit të madh, të hetojnë të gjithë çfarë ndodhi këto ditë me opozitën shqiptare. Të hetojnë veprimtarinë e Sorosit në Shqipëri, se si ky multimilairder bëri gjithçka për të ngritur në piedestal këtë kryekorruptor. I bëj thirrje Parlamentit Europian, qeverive të vendeve mike, të hetojnë dhe shqyrtojnë. Skandalet e Duçkës së Edi Ramës janë zinxhir”, shtoi ai.