Budapest, 22 shtator 2022 – Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha gjatë një takimi të partisë së tij, Fidesz, se duhet të hiqen sanksionet që Bashkimi Evropian ka vendosur kundër Rusisë.
Sipas gazetës pro-qeveritare, Magyar Nemzet, kryeministri hungarez i krahut të djathtë këto komente i ka bërë gjatë mbledhjes partiake që u mbajtë më 21 shtator.
Orban – lideri i vetëm i BE-së që mban raporte të mira me presidentin rus, Vladimir Putin – është një kritik i ashpër i sanksioneve që blloku ka vendosur kundër Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Sipas gazetës Magyar Nemzet, Orban ka deklaruar se sanksionet e BE-së kanë rritur çmimet e gazit dhe inflacionit. Por, ai nuk ka treguar se ku i bazon këto pretendime.
Sipas tij, nëse sanksionet hiqen, çmimet e gazit do të binte menjëherë për 50 për qind, e po ashtu do të binte edhe niveli i inflacionit.
Gazeta raportoi se Orban ka thënë se pa sanksione, Evropa do të ishte në gjendje të shmangte recensionin, teksa ka përsëritur qëndrimin e tij se sanksionet po e dëmtojnë më shumë Evropën sesa Rusinë.
Në llogarinë e tij në Facebook, gjatë mbledhjes partiake, Orban ka shkruar “sanksionet e Brukselit e kanë shtyrë Evropën në krizë energjetike”.
Në korrik, Orban tha se Evropa “ka qëlluar veten” duke vendosur sanksionet kundër Rusisë, që sipas tij, nëse nuk hiqen, do të shkatërrojnë ekonominë evropiane.
Orban, i cili në prill është rizgjedhur kryeministër në mandatin e katërt radhazi, shpesh përplaset me Bashkimin Evropian për një sërë çështjesh, përfshirë temat e pavarësisë së gjyqësori, prokurimit publik, të drejtave të komunitetit LGBT+, mediave dhe të drejtave fetare.
Më 18 shtator, Komisioni Evropian propozoi që Hungarisë t’i ndaleshin 7.5 miliardë euro fonde për shkak të mospajtimeve midis bllokut dhe Budapestit rreth luftës kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.
(REL)