Tiranë, 16 shkurt 2024 – Organizatat në mbrojtje të mjedisit dënuan njëzëri të premten projektin e qeverisë për ligjin e Zonave të Mbrojtura, duke i cilësuar këto propozime si vulosje përfundimtare të shkatërrimit të tyre në Shqipëri.
Organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në fushën e mjedisit si dhe ekspertë e përfaqësues të shquar të botës akademike u shprehen kundër ndryshimeve të propozuara nga disa deputetë të Partisë Socialiste dhe më pas nga qeveria.
Në një konferencë për mediat, përfaqësuesit e shoqërisë civile i kërkuan parlamentit dhe qeverisë të tërhiqen nga propozimet e paraqitura, të tregojnë transparencë, të hapin procesin për këshillimin e duhur mjedisor të draftit përfundimtar të projektligjit si dhe të dëgjojnë argumentet e organizatave, institucioneve akademike dhe shkencore dhe partnerëve ndërkombëtarë në fushën e mbrojtjes së natyrës.
“Të gjithë ndryshimet e propozuara janë dashakeqe për Zonat e Mbrojtura, shkojnë në kundërshtim me frymën e ligjit aktual, me normat dhe praktikat më të mira Evropiane dhe me çdo detyrim ligjor të këshillimit publik,” thuhet në deklaratën e përbashkët.
Ndryshimet, sipas organizatave, vulosin përfundimisht fundin e sistemit të Zonave të Mbrojtura dhe biodiversitetit në Shqipëri.
“Me keqardhje shikojmë se qëndrimi i qeverisë është edhe më i rrezikshëm se drafti i parlamentit. Ai përligj tjetërsimin e zonave të mbrojtura (ZM), legjitimimin e gjithë ndërtimeve e ndërhyrjeve të paligjshme në zona të mbrojtura dhe miratimin e çfarëdo investimi të ashtuquajtur strategjik në zemër të zonave të mbrojtura,” tha Taulant Bino, drejtues i shoqatës së Ornitologjisë duke lexuar deklaratën e përbashkët.
Sipas këtyre propozimeve të qeverisë, shtoi Bino, “përfituesi më i madh është Këshilli Kombëtar i Territorit që rrëmben gjithë pushtetet dhe politikat dhe kthehet në Zot të zonave të mbrojtura, duke qenë se askush nuk kundërshton dot vendimet e tij”.
Nëse varianti i qeverisë do të miratohet, organizatat apelojnë se kjo zhbën të gjitha kompetencat e Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit dhe Agjencive të saj të varësisë, duke anuluar paketën ligjore mjedisore të ndërtuar në frymën e transpozimit të Direktivave të Bashkimit Europian.
Sipas organizatave, edhe pse ndryshimet në ligj u kërkuan me pretekstin e fuqizimit të rolit dhe interesave të bashkive, në draftin propozuar nga qeveria bashkitë kanë vetëm delet e dhitë ose qiratë e përdorimit të kullotave.
“Në këtë tragjikomedi, Parlamenti, Bashkitë dhe komuniteti në tërësi, janë humbësit e mëdhenj,” theksoi Bino.
Organizatat mjedisore kërkojnë që të ketë një konsultim të ri publik, nëse draftligji final do të mbështetej mbi komentet e qeverisë, të cilat janë sipas tyre kryekëput të ndryshme nga çdo variant i diskutuar më parë. Sipas tyre kjo përbën një thyerje të rregullave të konsultimit publik.
Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania, tha se tentativat e qeverisë për të ndërhyrë në zonat e mbrojtura nuk janë të reja, por kanë nisur që prej vitit 2018 me rishikimin e tyre.
“Ky është një proces i kontestuar,” tha Nika duke iu referuar mënyrës se si u bënë propozimet e fundit, duke e cilësuar “hileqare” rrugën e zgjedhur nga mazhoranca për të propozuar nismën ligjore.
Drafti i qeverisë është dorëzuar në Kuvend me emërtimin “dhënie mendimi”, që duket se ka si qëllim shmangien e konsultimit publik.
“Nëse drafti final nuk do të konsultohet me ekspertët dhe aktivistët është shkelur çdo rregull i konsultim publik,” tha më tej Nika, duke shtuar se duket se qëllimi i vetëm është hapja e këtyre zonave për një zhvillim ekonomik të vrullshëm.
Lavdosh Ferruni nga Shoqata e Bujqësisë Organike tha se nëse ky ligj kalon, në një të ardhme të afërt nuk do të kemi më zona të mbrojtura.
Një draft i detajuar propozimesh i qeverisë për ndryshimin e ligjit “Për Zonat e Mbrojtura” i jep atribute Këshillit Kombëtar të Territorit që të vendosë për shfrytëzimin e këtyre zonave në varësi të lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit, duke i hapur ligjërisht rrugën investimeve strategjike brenda tyre.
Drafti i qeverisë u dërgua në Kuvend me emërtimin “dhënie mendimi” për projektligjin e inicuar nga një grup deputetësh socialistë – një truk procedurial ky që duket se tenton të shmangë konsultimin publik.
Drafti i qeverisë rrëzon thelbin e propozimit të deputetëve, që synonte plotësimin e kërkesës së kryetarëve të bashkive për marrjen e një roli aktiv në administrim e zonave të mbrojtura, por rithekson synimin tjetër për të ulur nivelin e mbrojtjes së tyre.