Uashington, 17 maj 2021 – Organizatat myslimane amerikane bojkotuan festën e së dielës në Shtëpinë e Bardhë për Fitër Bajramin – dita që shënonte fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Sipas organizatave myslimane kjo u bë në shenjë proteste ndaj mbështetjes që administrata Biden jep për Izraelin, në konfliktin me palestinezët.
Fitër Bajrami është zakonisht një kohë gëzimi dhe festimi për myslimanët në të gjithë botën. Por këtë vit, Fitër Bajrami është prishur, jo vetëm nga pandemia… por edhe nga dhuna e përshkallëzuar midis izraelitëve dhe palestinezëve, duke bërë që disa organizata myslimane amerikane të bojkotojnë një ceremoni virtuale të Shtëpisë së Bardhë për Fitër Bajramin.
“Këshilli për Marrëdhëniet amerikano-islamike u është bashkuar organizatave të tjera kombëtare myslimane amerikane në bojkotimin e festës së Shtëpisë së Bardhë për shkak të përgjigjes zhgënjyese dhe shqetësuese të administratës Biden ndaj abuzimeve të të drejtave të njeriut nga qeveria izraelite kundër palestinezëve në Gaza dhe Jeruzalemin Lindor”, thotë zoti Robert McCaw, nga Këshilli për Marrëdhëniet amerikano-islamike.
Duke filluar me Bill Clintonin në vitin 1996, presidentët amerikanë kanë shtruar iftar në Shtëpinë e Bardhë. Këtë vit, Presidenti Joe Biden dhe Zonja e Parë, Jill Biden zhvilluan një ceremoni virtualisht.
“Ne mund ta shohim frymën e kësaj dite tek miliona myslimanë amerikanë që e bëjnë vendin tonë më të fortë çdo ditë, duke përfshirë kaq shumë punëtorë të guximshëm, të vijës së parë”, tha Zonja e Parë Jill Biden.
Presidenti Biden pranoi se konflikti izraelito-palestinez ka një peshë të rëndë mbi myslimanët në të gjithë botën.
“Administrata ime do të vazhdojë të angazhohet me palestinezët, izraelitë dhe partnerë të tjerë rajonalë për të punuar drejt qetësisë së qëndrueshme,” tha presidenti Biden.
Të shtunën, mijëra njerëz u mblodhën në qytetet kryesore të SHBA, duke përfshirë Uashingtonin, Nju Jorkun dhe Bostonin, për të kërkuar që administrata Biden të bëjë më shumë për të adresuar abuzimet e të drejtave të njeriut nga qeveria izraelite kundër palestinezëve.
“Ne jemi të lodhur nga vrasjet e të pafajshmëve. Jemi lodhur nga pushtimi”, thotë Seham Escheick.
Ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan Duke tha se Izraeli po vepron për vetëmbrojtje. Ai foli të dielën me Këshillin e Sigurimit duke thënë se konflikti ishte “i paramenduar” nga Hamasi.
“Kjo nuk është hera e parë që Hamas qëllon me raketa vdekjeprurëse pa dallim ndaj civilëve izraelitë ndërsa fshihet pas civilëve palestinezë,” tha ai.
Gjatë fundjavës, Presidenti Biden bisedoi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe udhëheqësin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas. Po ashtu i dërguari i Presidentit Biden, Hady Amr ndodhet në rajon mes përpjekjeve diplomatike për të rivendosur qetësinë.
“SHBA duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm. SHBA duhet të luajnë rol në uljen e tensioneve, ndalimin e dhunës, që situata të mos dalë jashtë kontrollit,” thotë analistja Merissa Khurma.
Para nisjes së dhunës, zoti Biden kishte bërë pak përpjekje për të rifilluar negociatat e bllokuara të paqes. Tani ai është nën presion për të vepruar, jo vetëm nga myslimanët amerikanë, por edhe nga ligjvënësit në krahun progresist të Partisë Demokrate.
(Zëri i Amerikës)