Gaza, 12 tetor 2023 – Këshilli Norvegjez për Refugjatë (KNR) i ka bërë thirrje të enjten komunitetit ndërkombëtar për krijimin e korridoreve humanitare, në mënyrë që të jetë i mundur dërgimi i ndihmave humanitare në Gaza, njoftoi Zëri i Amerikës.
“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që urgjentisht të ngulë këmbë në qasjen humanitare dhe mbrojtjen e civilëve”, tha KNR-ja në një komunikatë të enjten.
Të mërkurën, termocentrali i vetëm në Gaza mbeti pa karburant, kështuqë enklava palestineze me rreth 2.3 milionë banorë tani varet plotësisht nga gjeneratorët.
“Në këtë çast, Gaza ka mbetur pothuajse pa karburant, ndërsa furnizimi me ilaçe dhe ushqim është tejet i vogël. Kjo zonë te mbipopulluar është nën rrethim të plotë dhe bombardime të pareshtura nga Izraeli. Ne duhet të jemi në gjendje të çojmë ndihma për të shpëtuar jetë për popullin e Gazës, sa më shpejt që është e mundur”, tha KNR.
Më herët gjatë ditës, ministri i Energjisë i Izraelit, Israel Katz, tha se rrethimi i Rripit të Gazës nuk do të përfundojë derisa Hamasi t’i lirojë të gjitha pengjet izraelite.
Izraeli e nisi rrethimin e Rripit të Gazës të hënën, dy ditë pasi militantët e Hamasit i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit për ta kryer njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit.
Së paku 150 pengje u dërguan në Gaza gjatë sulmit të Hamasit, ku mbetën të vrarë mbi 1.200 izraelitë.
Ushtria izraelite qysh nga dita e hënë vazhdon bombardimet e Gazës, të cilat morën jetën e rreth 1.200 palestinezëve.
(r.m.)