Tiranë,21 korrik 2021 – Në Tiranë, veprimtarëtt e të drejtave të fëmijëve dhe rinisë i bënë thirrje qeverisë shqiptare që të miratojë projektet e Bashkimit Europian mbi garancitë e të rinjve dhe fëmijëve.
Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë (ANYN) dhe Qendra për të Drejtat e Fëmijëve, thonë se këto dy grupime të varfëra ka shumë nevojë për fondet garancie dhe zbatimi i tyre e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian.
Në pritje të institucioneve të reja që do të dalin nga zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, organizatat joqeveritare për të drejtat e njeriut po u bëjnë thirrje autoriteteve dhe parashtrojnë kërkesat për një mbrojtje më të mirë sociale të shtresave në nevojë. Ata besojnë se grupimet më të lëna pas dore janë fëmijët dhe rinia, të cilët vuajnë më rëndë varfërinë e familjeve të tyre.
Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Tiranë i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të miratoj e zbatojë edhe në Shqipëri garancinë e fëmijëve, një nismë kjo e Bashkimit Europian.
Drejtuesi i CRCA, Altin Hazizaj, thotë se garancia e fëmijëve ëhstë një dnër mjetet kryesore që gjithë Europa ka vendosur të zbatojë në përpjekjet e saj për të eleminuar varfërinë, diskriminimin, dhunën dhe përjashtimin social të fëmijëve.
“Sidomos sot në fazën e post-Covid në Shqipëri, ne mendojmë që garancia e fëmijëve ashtu si është modeluar nga Bashkimi Europian duhet të modelohet edhe nga Shqipëria, sepse është e vetmja mundësia e vetme që qeveria shqiptare, që shteti shqiptar ka në dorë të saj për të luftuar seriozisht varfërinë e fëmijëve, shfrytëzimin e tyre, dhunën seksuale, trafikimin e fëmijëve, mungesën e aksesit të fëmijëve anembanë Shqipërisë, po ashtu edhe një arsim më cilësor” – thotë zoti Hazizaj.
Po ashtu edhe të rinjtë kanë nevoja të shumta, ndërsa pjesa më e madhe e tyre thonë në anketa se janë gati të emigrojnë në cdo kohë për shkak të mungesës së perspektivës, papunëisë dhe premtimeve të pambajtura nga politika.
Ende nuk ka një buxhet kushtuar rinisë dhe as qendra rinore, aq më pak mundësi punësimi apo kualifikimesh profesionale, pohojnë veprimtarët.
Prej 7 vitesh vendet e BE-së po zbatojnë programin e garancisë rinore, i cili permban mundësi më të mira punësimi për të rinjtë, trajnimeve dhe formimit professional, thotë Ervjola Osmanaj, përfaqësuese e Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë.
“Ky program ka sjellë ndryshime cilësore në jetën e miliona të rinjve në pothuaj gjithë vendet e Bashkimit Europian, ku ky program është zbatuar. Shqipëria është duke e përqafuar si nismë, që pritet të shtrihet si nismë gjatë viteve 2021-27. Krahas punësimit, garancia rinore do të shërbejë për afrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian dhe do të ndikojë edhe në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian” – thotë zonja Osmanaj.
Në pjesën dërrmuese të rinjtë nëpër anketa përmendin si problem kryesor papunësinë masive në radhët e tyre. Po aq masiv është edhe mosbesimi i tyre ndaj partive politike, që kujtohen për ta vetëm gjatë fushatave zgjedhore. Ata shprehen se arsyet pse mendojnë të emigrojnë janë se nuk gjejnë dot një vend pune, se këtu ka korrupsion, se nuk ka meritokraci, nuk ka një terren apo një mjedis të favorshëm për të rinjtë. Së pari duhet një buxhet për rininë, duhet investim për rininë, pohojnë veprimtarët e të drejtave njerëzore.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)