OSBE shpreh gatshmëri të bashkëpunojë me institucionet për zyrtaren e arrestuar për spiunazh

Prishtinë, 2 mars 2025 – Misioni i Organizatë për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë ka thënë se është në dijeni se zyrtarja e këtij misioni, Jelena Gjukanoviq, ne dyshuar për spiunazh, është arrestuar nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë.

Misioni i OSBE-së në Kosovë, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se nuk mund të komentojnë më tej mbi këtë rast, për shkak të hetimeve që janë duke u zhvilluar, por është i gatshëm të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente lidhur me këtë rast.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë është në dijeni të raportimeve të mediave lidhur me ndalimin e një anëtari të Misionit. Ne jemi në kontakt me përfaqësuesin e tyre ligjor dhe po monitorojmë nga afër mirëqenien e tyre në përputhje me detyrën tonë të kujdesit. Përderisa Misioni nuk mund të komentojë më tej për këtë rast për shkak të hetimeve në vazhdim, ai mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me autoritetet përkatëse”, thuhet në njoftim.

Misioni i OSBE-së ka shtuar se është në kontakt me institucionet përkatëse, e edhe me Sekretariatin në Vjenë “për të siguruar respektimin e procesit të duhur”.

Jelena Gjukanoviq është ndaluar më 28 shkurt, në rajonin e Mitrovicës, në bazë të dyshimit se ka kryer veprën penale “spiunazh” për Agjencinë Sekrete të Serbisë, BIA.

Asaj i është caktuar masa e sigurisë paraburgim në kohëzgjatje prej për 30 ditësh. Gjyqtari i procedurës paraprake, Arben Hoti, ka vlerësuar se banorja e veriut të vendit me kombësi serbe, do të mund të arratisej me lehtësi nëse do të lihej e lirë.

(r.m.)

Comment

*