Tbilisi, 14 maj 2022 – Udhëheqësi i rajonit separatist të Osetisë së Jugut në Gjeorgji njoftoi të premten se në korrik do të mbahet një referendum për bashkimin me Rusinë.
Rusia ka qenë praktikisht në kontroll të rajonit që nga një luftë e shkurtër me Gjeorgjinë në vitin 2008. Rusia dhe një pjesë e vogël vendesh të tjera e njohin Osetinë e Jugut si një shtet të pavarur, por shumica e vendeve të botës e konsideron atë pjesë të Gjeorgjisë.
Udhëheqësi i Osetisë së Jugut, Anatoli Bibilov, shkruante të premten në Telegram se kishte nënshkruar një dekret për caktimin e datës së referendumit më 17 korrik.
Ai tha se dekreti ishte një hap i rëndësishëm ligjor dhe për banorët një hap që u ndryshon jetën, duke e quajtur Rusinë “vendin tone”.
Rreth një muaj pas luftës së Rusisë me Ukrainën, zoti Bibilov tha se Osetia e Jugut do të ndërmarrë hapat ligjorë të nevojshëm për t’u bashkuar me Rusinë.
Referendumi ndjek përafërsisht modelin e Krimesë. Pasi Rusia pushtoi gadishullin e Detit të Zi nga Ukraina në vitin 2014, u mbajt një referendum për bashkimin me Rusinë dhe 97% votuan pro. Referendumi u mbajt ndërsa Krimea ishte nën kontrollin e trupave ruse dhe rezultati nuk u njoh nga shumica e vendeve. Rusia më pas aneksoi Krimenë.
(Zëri i Amerikës)