Prishtinë, 11 shtator 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot 22 vjetorin e sulmeve terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një dedikim në Facebook, Presidentja Osmani ka shkruar se 11 shtatori i vitit 2001 e ka ndryshuar përgjithmonë rrjedhën e historisë. Ajo ka thënë se Kosova i nderon 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste dhe i riafirmon përpjekjet e çdoditshme në mbrojtje të lirisë e demokracisë, vlera këto që e definojnë miqësinë dhe partneritetin e Kosovës me SHBA-të.
“11 shtatori i vitit 2001 ndryshoi rrjedhën e historisë përgjithmonë. Sot, krahas aleatëve tanë amerikanë, nderojmë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa riafirmojmë përpjekjet tona të çdoditshme në mbrojtje të lirisë e demokracisë, vlera të cilat definojnë miqësinë dhe partneritetin tonë të përhershëm”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj SHBA-së çuan në ndryshime thelbësore të doktrinës së sigurisë në SHBA dhe në mbarë botën. Nga këto sulme bota mësoi se siguria nuk është më çështje e shteteve apo e bashkësive të shteteve, por është një çështje globale që e bën të detyrueshëm bashkëpunimin e të gjithëve për mbrojtjen e sigurinë e të gjithëve.
(r.m.)