Prishtinë, 24 mars 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi si “triumf të dritës së shpresës” për qytetarët e Kosovës 24 marsin e vitit 1999, ditën kur NATO e filloi bombardimin e objektivave ushtarake e policore serbe, për të parandaluar fushatën e Serbisë për spastrimin etnik të Kosovës.
Në 26 vjetorin e fillimit të bombardimit, Presidentja Osmani tha se 24 marsi i vitit 1999 ishte “dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë”.
Ajo falënderoi aleatët e Kosovës që ndihmuan realizimin e aspiratës së popullit të Kosovës për shtet të lirë, të pavarur e sovran dhe theksoi se sot, 26 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, “Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur”.
Deklarata e plotë e Presidentes Osmani:
24 Marsi, dita kur liria mori krahë!
Ishte dita kur bota demokratike nuk heshti!
Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës.
Nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare, lindi Kosova e lirë! 26 vjet më pas, Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur.
Lavdi të gjithë të rënëve për liri!
Falënderim aleatëve që ndihmuan kauzën tonë për Kosovën shtet të lirë, të pavarur e sovran!
(r.m.)