Prishtinë, 6 mars 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë (ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, ambasadorin Francës, Olivier Guérot, Zëvendës shefen e Misionit të Shteteve të Bashkuara, Alyson Grunder), dhe Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog.
Si njofton zyra e Presidentes, në qendër të takimit ka qenë dialogu midis Kosovës e Serbisë, me theks në hapat e mëtutjeshëm dhe në koordinimin e veprimeve të institucioneve të Kosovës me vendet mike e aleate.
Në njoftim bëhet e ditur se Presidentja Osmani ka theksuar se aneksi për zbatimin e marrëveshjes bazë duhet të respektojë atributet e shtetësisë së Kosovës – sovranitetin, integritetin territorial, kushtetutshmërinë dhe funksionalitetin e shtetit.
“Presidentja Osmani potencoi se dakordimi rreth aneksit për zbatimin e marrëveshjes bazë duhet të ketë parasysh parimet e miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës rreth paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani ka theksuar gjithashtu se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në dialogun me Serbinë dhe vazhdon të jetë e përkushtuar për një proces që kontribuon për paqen, sigurinë dhe prosperitetin e vendit dhe mbarë rajonit.
(r.m.)