Prishtinë, 11 tetor 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur të premten në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin amerikan Stuart B. Munsch, i cili është shoqëruar nga komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajori italian Enrico Barduani.
Presidenca e Kosovës bën të ditur se Presidentja Osmani ka shprehur vlerësimet më të larta për mbështetjen e NATO-s për lirinë e Kosovës dhe për ruajtjen e paqes e stabilitetit në Kosovë. Ajo ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se Presidentja Osmani ka ritheksuar se objektiv strategjik i Kosovës është integrimi në komunitetin euro-atlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit.
Me këtë ras, Presidentja Osmani e ka uruar gjeneralmajorin Barduani për marrjen e detyrës së Komandantit të KFOR-it dhe ka rikonfirmuar përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në gjithë territorin e Kosovës dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim.
(r.m.)