Osmani: Asociacioni nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Prishtinë, 27 mars 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të mërkurën se themelimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Duke folur për gazetarë në Prishtinë, Osmani tha se raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, rekomandon se Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

“Në qoftë se e lexoni letrën e saj, në veçanti paragrafi i 11-të i raportit, e qartëson se kur flitet për Asociacionin, flitet si një prej detyrimeve pas anëtarësimit, pra nuk flitet për këtë fazë për themelim të Asociacionit”, tha Osmani.

Ajo tha se Kosova e ka dëshmuar përkushtimin e saj për ta themeluar Asociacionin, në kornizat e Marrëveshjes së Brukselit të vitit të kaluar.

 “Pra ky nuk është përkushtim i marsit 2024, është përkushtim i Marrëveshjes bazike të viti 2023”, u shpreh ajo.

Osmani tha se institucionet kosovare janë angazhuar për të lobuar me vendet anëtare për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.

“Janë disa hapa që kanë mbetur, por ajo që mund të them është se të gjitha nivelet e institucioneve janë angazhuar me deputetët e Asamblesë Parlamentare, por edhe jemi duke biseduar me shtet veç e veç, si presidente në veçanti jam e angazhuar me liderët e shteteve”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës  i bëri këto komente pasi i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së fundit në Kosovë, tha se Asociacioni dhe çështja e disa shpronësimeve në pjesën veriore të Kosovës mund të shtrohen si kushte shtesë për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sot pasdite Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës do të mbajë një mbledhje, ku pritet të votohet raporti i Bakoyannis.

Kosova aplikoi në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimi i saj është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Nëse Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë Parlamentare në prill, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.

(r.m.)