Osmani: Bandat kriminale në veri kanë qëllim destabilizimin e Kosovës

Tiranë, 6 dhjetor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e dënoi ashpër sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Policisë së Kosovës në Mitrovicës Veriore dhe në Zubin Potok.

Zonja Osmani fajësoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mbështetjen e grupeve kriminale me qëllim destabilizimin e Kosovës.

“Bandat kriminale që financohen dhe përkrahen politikisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë për qëllim ta destabilizojnë tërë Kosovën. Rrjedhimisht, kanë për qëllim të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe të realizojnë kështu agjendat ruso-serbe”,  tha ajo gjatë një konference për media në Tiranë,

“Ne duhet të bëjmë çmos që nëpërmjet institucioneve të sigurisë të Kosovës të vendosim rend dhe ligj në çdo cep të vendit tonë, por edhe të mbrojmë jetën e secilit qytetarë tanë pavarësisht etnisë”, tha Osmani.

Të martën, më 6 dhjetor, Policia e Kosovës konfirmoi se kanë ndodhur disa incidente në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, në kohën kur policët po shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna me shumicë serbe.

Policia tha se dyshohet se kishte “shkrepje me armë dhe shpërthime”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, organ përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, tha se zyrtarët komunalë zgjedhorë u parandaluan që të shkonin në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe  në Zubin Potok, për të kryer detyrat e tyre zyrtar”.

Presidentja Osmani tha se institucionet janë në kontakt të vazhdueshëm me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë komune në Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut.

Këto katër komuna me shumicë serbe kanë mbetur pa kryetarë , pasi zyrtarët e Listës Serbe u tërhoqën nga institucionet e Kosovës në nëntor, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me rirregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Zgjedhjet në katër komunat veriore janë caktuar që të mbahen më 18 dhjetor.

(r.m.)