Nju Jork, 21 shtator 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. ka thënë se reciprociteti me Serbinë për target e automjeteve është vendosur në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.
Ajo ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të vendosura për zbatimin e ligjeve, pavarësisht nga kërcënimet e Serbisë.
“Asnjë lloj kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për të jetësuar zbatimin e ligjit, në përputhje me obligimet tona ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie”, ka shkruar zonja Osmani, në një postim në rrjetin social Facebook.
Zonja Osmani e ka bërë këtë deklaratë duke iu përgjigjur akuzave të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Qeveria e Kosovës po i shkel marrëveshjet dhe paralajmërimit të tij se Serbia mund të kundërpërgjigjet me “masa ekonomike dhe politike”.
“Shpresoj se nuk do të na duhet të marrim masat tona, si ekonomike ashtu edhe politike, sepse kjo nuk do të ishte mirë për gjithë rajonin, veçanërisht për marrëdhëniet tona me Prishtinën”, ka thënë ai.
Autoritetet në Kosovë thanë se reciprociteti me Serbinë për targat e automjeteve nuk është ndërmarrë kundër serbëve, por është imponuar nga Serbia.
Por, serbët janë grumbulluar në afërsi të pikave kufitare në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie.
Presidenti i Serbisë i ka inkurajuar serbët në Kosovë që “të mos bien pre e provokimeve (nga autoritetet e Kosovës) dhe të protestojnë qetësisht dhe pa incidente”.
(r.m.)