Osmani beson se SHBA-ja do të miratojë shitjen e raketave “Javelin” Kosovës

Prishtinë, 12 janar 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpehur besimen se Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta miratojë shitjen e raketave “Javelin” Kosovës.

“Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes, e cila “përfshin zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës konform standardeve të NATO-s dhe thellimin e marrëdhënieve me partnerin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ajo ka cituar edhe një pjesë të deklaratës së qeverisë amerikane, ku thuhet se kjo shitje e propozuar “do t’i mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë” dhe “do ta rrisë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe për t`i përmbushur kërkesat shtetërore në sferën e mbrojtjes”.

Presidentja Osmani i shpreh “falënderim të veçantë” Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, Departamentin e Mbrojtjes dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara për miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS).

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

Republika jonë po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes. Kjo përfshin zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës konform standardeve të NATO-s dhe thellimin e marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme e FSK-së, shpreh mirënjohjen time për institucionet tona të mbrojtjes, të cilat për vite me radhë punuan për përmbushjen e kritereve për kualifikim në Programin e Shitjeve Ushtarake të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.

Shpreh falënderim të veçantë për Sekretarin Blinken, me të cilin kemi diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS) në korrik 2022, për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tashmë është njoftuar zyrtarisht për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS.

Siç u tha në Deklaratën thelbësore të Qeverisë amerikane, “Kjo shitje e propozuar do t’i mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë. Shitja e propozuar gjithashtu do ta rrisë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe për t`i përmbushur kërkesat shtetërore në sferën e mbrojtjes”.

Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian.

(r.m.)