Prishtinë, 7 shtator 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se vendosja e bllokadave në rrugët pranë vendkalimeve kufitare me Kosovën në anën e Serbisë ka qëllim destabilizimin e gjendjes në Kosovë e në rajon. Ajo ka thënë se këto bllokada dëshmojnë për lidhjet e shtetit serb me bandat kriminale.
“Këto bllokada […] kanë vetëm një qëllim – të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë. Por, në të njëjtën kohë, e tregojnë lidhmërinë e drejtpërdrejt ndërmjet shtetit serb dhe bandave kriminale që i kanë organizuar këto bllokada”, ka thënë ajo të shtunën, në Podujevë.
Ajo ka thënë se Beogradi vazhdon t’i përdorë këto banda kriminale për sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe lëvizjes së lirë.
“Në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e Brukselit, të cilat janë arritur në këto 12 vite, Serbia edhe një herë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, fqinjësia e mirë. Përkundrazi, ajo vazhdon t’i shfrytëzojë bandat kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj lëvizjes së lirë”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani u ka bërë thirrje aleatëve që të shprehin publikisht qëndrimin lidhur me shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjeve nga Serbia.
“U bëj thirrje aleatëve tanë që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, e cila po i shkel të drejtat e qytetarëve tanë dhe ka tendencë ta destabilizojë paqen dhe sigurinë, jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani i ka bërë këto komente pas zbulimit të shtatores së Presidentit historik të Kosovë, Ibrahim Rugova, në Podujevë.
(r.m.)