Prishtinë, 24 shkurt 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se populli i shtetit të saj mbështet popullin ukrainas, teksa përballet me “pasojat e një lufte të paprovokuar, si rezultat i agresionit rus”.
“Ne do të bashkëpunojmë me aleatët tanë për të ndalur çfarëdo destabilizimi të rajonit tonë. Hegjemonia ruse nuk do të triumfojë. Liria dhe demokracia do të fitojnë”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
🇽🇰 stands with 🇺🇦 & its people, while they’re facing the consequences of unprovoked war as a result of Russia’s acts of aggression.
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) February 24, 2022
We’ll cooperate with our allies to stop any destabilization in our region. Russia’s hegemony will not succeed. Freedom and democracy will prevail.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë të enjten se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.
Në një postim në Twitter, Kuleba ka shkruar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.
“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni”, ka thënë Kuleba.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, ka thënë se Rusia ka kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se ka biseduar me aleatët perëndimorë dhe se u ka bërë thirrje atyre që ta ndihmojnë Ukrainën me mbrojtje dhe financa.
Presidenti rus ka konfirmuar se ka nisur, siç ka thënë, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka dënuar operacionin, duke e cilësuar atë si një sulm “të paprovokuar dhe të pajustifikuar” ndaj Ukrainës dhe ka shtuar se bota “do ta mbajë Rusinë përgjegjëse”.
Para sulmit në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë këtë javë se njeh pavarësinë e dy rajoneve separatiste në Ukrainë si shtete të pavarura.
Ky vendim është dënuar nga Perëndimi.
(REL)