Osmani: Dorëheqjet e policëve serbë – pasojë e kërcënimeve nga Serbia

Prishtinë, 18 gusht 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se si rezultat i “kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme” nga Beogradi, kanë dhënë dorëheqje zyrtarë serbë të Policisë së Kosovës.

“Dorëheqja e zyrtarëve policorë nga komuniteti serb është rezultat direkt i kërcënimeve të vazhdueshme dhe frikësimeve nga Serbia – një dëshmi se politikat e saj vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e [ish-udhëheqësit serb Sllobodan] Millosheviq. Ne do të vazhdojnë të ofrojmë gjithëpërfshirje në të gjitha institucionet dhe një Kosovë të sigurt për të gjithë”, shkroi Osmani në X, që më herët njihej si Twitter.

Diplomatët ndërkombëtarë në Kosovë shprehën shqetësimin e tyre për dorëheqjen e tre policëve serbë të Kosovës.

Në reagimin e shefit të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe të Ambasadës amerikane, megjithatë nuk u përmendën arsyet që çuan në dorëheqjen e tre policëve.

Në nëntor të vitit të kaluar, pjesëtarët serbë të policisë në veri të Kosovës kishin dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Në korrik,  Policisë së Kosovës iu bashkuan 74 policë të rinj të komuniteteve joshumicë, 46 prej të cilëve serbë.

(r.m.)