Osmani: Draftin e statutit të Asociacionit duhet ta shqyrtojë Gjykata Kushtetuese

Prishtinë, 2 nëntor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Zyra e Presidentes Osmani bëri të ditur se në këtë takim është biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për tema të tjera të interesit të përbashkët.

Sipas njoftimit, temë kryesore e bisedës ka qenë procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Presidentja Osmani ka thënë se Serbia është pengesa e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Ajo ka thënë se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të propozuar nga Bashkimi Evropian, duhet t’i nënshtrohet një shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Në takim u diskutua edhe për të rejat e fundit nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku Presidentja Osmani theksoi se Kosova është treguar vazhdimisht palë konstruktive, ndërsa Serbia vazhdon me qasjen selektive që pamundëson zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Ajo gjithashtu theksoi se propozimi për draftstatutin e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

“Presidentja Osmani nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të për të arritur progres në procesin e dialogut”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Presidentes Omani

Kosovës dhe Serbisë u është prezantuar një draft i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Bashkimi Evropian ka thënë se ky propozim është një model evropian, por përmbajtja e tij nuk është publikuar ende.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si bazë të mirë për negociata për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, por ka theksuar se ky dokument ka vlerë vetëm nëse zbatohen në tërësi dhe pa kushte marrëveshje bazë për normalizim, e cila përfshin njohjen de fakto të Kosovës nga Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se njohja e Kosovës “nuk është çështje për Serbinë”.

(r.m.)