Prishtinë, 20 mars 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se të dërguarit të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, ia ka paraqitrur vërejtjet për draftstatutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë që e ka propozuar Bashkimi Evropian.
Presidentja Osmani ka theksuar se ky draftstatut nuk do ta kalonte në Gjykatën Kushtetuese, sepse, siç ka theksuar, ai nuk është në përputhje me Kushtetutën. Ajo ka thënë se ky draftstatut nuk është as në pëputhje me standardet e Këshillit të Evropës, prandaj ai duhet të shqyrtohet nga ekspertë të fushës.
“Sa i përket takimit që kishim me përfaqësuesin e ri të BE-së, ne prezantuam në detaje vërejtjet tona sa i përket draftstatutit. U dakorduam që këto diskutime të vazhdojnë edhe më tej. Për shkak se shumë prej tyre janë në nivel ekspertësh. Po flasim për draftstatutin e BE-së, që personalisht mendoj se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe as me normat e BE-së, standardet e Këshillit të Evropës dhe vendimin Kushtetueses së 2015. Një draftstatut i tillë nuk ka se si të hyjë në fuqi dhe nuk besoj qe do të kalonte testin në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ajo, pas konferencës së përbashkët me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics, në Prishtinë.
Presidentja Osmani ka shfaqur shpresën se me lidershipin e ri të BE-së dialogu Kosovë Serbi do të jetë balancuar.
“Me lidershipin e ri të BE-së shpresojmë që balanci të kthehet në tavolinë sepse do t’i ndihmonte vet kredibilitetit të procesit”, ka thënë ajo.
Në vitin 2023, BE-ja ua pati dorëzuar një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicëe serbe. Ky draftastatut ishte mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Presidentja Osmani atëherë kishte thënë se ky dokument duhet t’i dërgohet për vlerësim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
(r.m.)