Prishtinë, 22 qershor 2021 – Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se drejtësia është parakusht për paqe të qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ajo e ka bërë këtë deklaratë të martën në Vjenë, pas takimeve që ka zhvilluar me zyrtarë të lartë të Austrisë.
Në një konferencë të përbashkët për media me homologun e saj austriak, Alexander Van der Bellen, Osmani ka thënë se Serbia ka kryer krime të tmerrshme në Kosovë kundër civilëve të pafajshëm dhe se për këto krime nuk ka ende kërkimfalje dhe pendesë nga Serbia.
“I bëj ftesë presidentit (serb Aleksandar) Vuçiq që, së paku, ta vendosë një lule në Batajnicë, në varrezën masive ku janë gjetur qindra fëmijë të vegjël e gra, të cilët ishin vrarë gjatë luftës në Kosovë”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka thënë edhe se Kosova pret që Serbia të kthejë eshtrat e personave të pagjetur.
Presidentja Osmani ka folur edhe për qëndrimin e BE-së ndai Serbisë.
“Mendoj se Bashkimi Evropian duhet të jetë i qartë me Serbinë, në mënyrë që ajo të mos mund të luajë me dy karta – edhe me Rusinë, edhe me Bashkimin Evropian. Ajo nuk mund të ulet në dy karrige në të njëjtën kohë. Duhet të zgjedhë cila është rruga e saj e vërtetë dhe jo të hiqet si pro-evropiane, në njërën anë, por ta rrisë bashkëpunimin ushtarak, ekonomik dhe politik me Rusinë, në anën tjetër, duke rrezikuar kështu gjithë rajonin tonë nga ndikimi rus”, ka deklaruar ajo.
Presidentja Osmani ka thwnw se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, nuk ka qenë kurrë për statusin e Kosovës dhe ka thekauar se ky proces duhet të përmbyllet me njohje reciproke.
Presidentja Osmani e ka falënderuar Presidentin Van der Bellen për mbështetjen e Austrisë për Kosovën që nga njohja e pavarësisë e deri në ballafaqimin me pandeminë.
“Austria mbetet partner strategjik dhe një prej aleatëve më të afërt për Republikën tonë. Institucionet tona dhe populli ynë ju janë përherë mirënjohës”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Ajo ka thënë se nga Austria pret vazhdimin e mbështetjes edhe në procesin eintegrimit të Kosovës në strukturat evropiane, në procesin e liberalizimit të vizave dhe në atë të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
“Ne te Austria shohim shtetin mik që na ka mbështetur në faza të ndjeshme përgjatë historisë. Përpjekjet tona për pavarësi kanë gjetur mbështetje të fuqishme nga shteti austriak qysh në kohën e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova. Pastaj më mbështetjen ndaj të rinjve tanë që kanë studiuar në universitetet austriake, për të vazhduar me mbështetjen në procesin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Sot, sërish na duhet mbështetja austriake që ne të lëvizim lirshëm dhe që ta forcojmë edhe më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Besoj fuqishëm që Austrinë do ta kemi në krah”, ka theksuar Presidentja Osmani, pas takimit me Presidentin Van der Bellen.
(r.m.)