Nju Jork, 21 shtator 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është e përkushtuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Ajo ka theksuar se bashkëpunimi mes shteteve është i domosdoshëm për mbrojtje nga grupet e dhunshme ekstremiste dhe organizatat terroriste që përbëjnë rrezik për botën demokratike.
“Në përballimin dhe luftimin e sfidave të përbashkëta duhet të qëndrojmë bashkë. Bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi qëndron në thelbin e zgjidhjeve të qëndrueshme afatgjata ndaj kërcënimeve sistematike, të cilat e minojnë prosperitetin e shoqërive tona”, ka theksuar Presidentja Osmani.
“Vendosmëria dhe këmbëngulja janë rruga jonë përpara”, ka theksuar ajo.
Presidentja Osmani i ka bërë këto komente në një konferencë të Fondit Global për Angazhimin dhe Qëndrueshmërinë e Komunitetit që u mbajt në Nju Jork. Ajo ka marrë pjesë në këtë konferencë me ftesë të Presidentit të Nigerit, Mohamed Bazoum, dhe Presidentit të Konfederatës Zvicerane, Ignazio Cassis.
(r.m.)