Osmani e Abazoviq diskutuan për projekte të përbashkëta të Kosovës e Malit të Zi

Podgoricë, 7 shkurt 2023 – Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është takuar të martën me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë takimit ata janë dakorduar për përmirësim të bashkëpunimit, me fokus te zhvillimi ekonomik dhe projektet infrastrukturore që mund të lidhin dy vendet.

Abazoviq, pas takimit me presidenten Osmani, në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Mali i Zi po nxit bashkëpunimin dhe pajtimin në rajon.

“Mali i Zi po nxit bashkëpunimin dhe pajtimin në rajon. Vazhdojmë të udhëheqim politikën e fqinjësisë së mirë dhe të mbajmë fokusin në zhvillim ekonomik dhe projekte infrastrukturore që do të na lidhin edhe më mirë. Sot me shumë kënaqësi pritëm Vjosa Osmanin, Presidente e Kosovës, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë”, ka shkruar Abazoviq.

Presidentja Osmani e ka vlerësuar lart fqinjësinë me Malin e Zi, për të cilën kontribuojnë komuniteti shqiptar në këtë shtet dhe ai malazez në Kosovë. Ajo ka thënë se për Kosovën, Mali i Zi është një partner te i cili ka gjetur mbështetje në vazhdimësi dhe ka shfaqur shpresën se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tej.

Presidentja Osmani ka thënë se forcimi i vazhdueshëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për mbështetjen e shteteve mike si Mali i Zi. Ajo ka thekssuar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është me rëndësi për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, ndaj ritheksoi rëndësinë e mbështetjes nga Mali i Zi.

Para takimit me Abazoviqin, presidentja Osmani është takuar me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i cili ka thënë se vendi i tij do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim më Bashkimin Evropian.

“Ne i kuptojmë ambiciet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, për të marrë statusin vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe e mbështesim fuqishëm këtë”, ka thënë Gjukanoviq.

(r.m.)