Prishtinë, 7 shtator 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekoruar ish-presidenten e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, me medaljen “Urdhri i Pavarësisë”.
Zonja Micheline Calmy-Rey është dekoruar për kontributin e saj në procesin e pavarësimit të Kosovës dhe për mbështetjen e vazhdueshme të konfederatës së Zvicrës për Kosovën në procesin e shtetndërtimit dhe zhvillimit.
Në ceremoninë e dorëzimit të dekoratës, Presidentja Osmani ka deklaruar se zonja Calmy-Rey ishte liderja e parë në Evropë që tha se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur dhe për këtë populli kosovar i ështëasaj shumëmirënjohës.
“Ne ju ftuam me këtë qëllim që t’ju falënderojmë në emër të popullit të Kosovës dhe, në të njëjtën kohë, të jemi në gjendje të japim shembull për gjeneratat e ardhshme që duke qëndruar në anën e duhur të historisë, veçanërisht në ditët e sotme kur arkitektura e sigurisë së Evropës është sërish nën kërcënim, kur demokracia është sërish nën sulm, qëndrimi në anën e duhur të historisë, kur këto vlera janë nën sulm, është gjithmonë zgjidhja më e mirë”, ka thënë Presidentja Osmani, duke iu drejtuar ish-presidentes zvicerane.
“Qëndrimi me njerëzit që u shtypën nga një tiran është gjithmonë gjëja e duhur për t’u bërë. Faleminderit për gjithçka që keni bërë dhe kam nderin që në emër të popullit të Kosovës edhe një herë t’ju them faleminderit për kontributin tuaj të çmuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke qenë liderja e parë në Evropë që tha se Kosova duhet të jetë e pavarur, duke kuptuar kaq herët se kjo ishte zgjidhja e vetme për paqen dhe stabilitetin në këtë pjesë të botës”, ka theksuar Osmani.
Ndërkaq, ish-presidentja e Konfederatës së Zvicrës e ka vlerësuar si nderim të madh për të dekorimin nga Presidentja Osmani. Ajo ka thënë se Zvicra ishte vendi i parë që ka folur për pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës sëkombeve të Bashkuara.
“Siç e dini, unë isha përfshirë në procesin e pavarësisë së Kosovës… Zvicra në vend që të thoshte ‘standardet para statusit’, duhet të thoshim ‘statusi para standardeve’. Zvicra ishte shteti i parë që foli për pavarësinë e Kosovës para Këshillit të Sigurimit në Nju Jork dhe më pas u angazhova në skenën ndërkombëtare si avokuese e pavarësisë së Kosovës. Kjo më kujton luftën e popullit zviceran për liri”, ka thënë ajo.
Zonja Calmy-Rey ka thënë se deri në arritjen e pavarësisë është punuar shumë dhe ka shtuar se është e lumtur që Kosova si shtet ka ecur përpara. Por, ajo ka thënë se në Kosovë “ka ende punë për t’u bërë”.
“Ju e dini që njerëzit në Kosovë kanë përgjegjësi për të punuar për vendin e tyre”, është shprehur ajo.
(r.m.)