Prishtinë, 21 janar 2022 – Presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, e nderuan Presidentin Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në ditën e 16 vjetorit të shkuarjes së tij në amshim.
Ata bënë homazhe dhe vunë një kurorë lulesh te varri i liderit më të madh politik të Kosovës të kohëve të reja dhe shprehën
Presidentja Osmani, ndër të tjera, tha se Presidenti Rugova ishte arkitekteti i shtetit të pavarur të Kosovës.
“Sot është 16 vjetori i shkuarjes në amshim të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, ideatorit të pavarësisë, presidentit historik Ibrahim Rugova. Ai bëri gjithçka për shtetin tone. Ai është shndërruar në fytyrën e këtij shteti. Presidenti Rugova punoi dhe veproi në një kohë jashtëzakonishgt të vështirë për gjithë popullin e Kosovës, në kushte e rrethana të okupimit, mirëpo arriti ta bëjë bashkë popullin e Kosovës rreth kauzës së shprehur në trinomin “Liri, Pavarësi, Demokraci”. Ai arriti të ndërtojë miqësi aq të mëdha për Kosovën, të cilat ishin aq të domosdoshme për të bërë realitet aspiratën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci. Ne sot e gëzojmë shtetin tonë, por i gëzojmë edhe miqësitë që i ndërtoi Presidenti Rugova”, deklaroi Presidentja Osmani.
“Kujtimi për të do të jetojë në zemrat dhe në mendjet e gjithë qytetarëve të Kosovës përjetësisht, ndërkaq vepra e tij dhe puna e tij do të vazhdojë të mbetet udhërrëfyes për ne, përderisa përpiqemi që në procesin e shtetndërtimit ta bëjmë Kosovën sa më të fortë dhe sa më të begatë”, theksoi Presidentja Osmani.
Ndërsa, kryeministri Kurti deklaroi se Presidenti Rugova ka dhënë kontribut të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore.
“Presidenti Rugova është presidenti i parë i Kosovës, i zgjedhur me votë popullore, më24 maj të vitit 1992,dhe mandej sërish Presidenti i parë i Kosovës së çliruar, i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, më 4 mars të vitit 2002. Dr. Ibrahim Rugova,edhe para se të ishte president, ishte intelektual i angazhuar, njeri paqësor dhe i qetë, racional dhe humanist. Ai dha kontribut tejet të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore dhe në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës”, u shpreh Kurti.
“Pra, sivjet kur ne e shënojmë 16 vjetorin e vdekjes së tij, në të njëjtën kohë ndodhemi në një vit kur do ta shënojmë edhe 20 vjetorin e tij si President në Kosovën e lirë, me 4 mars, dhe gjithashtu 30 vjetorin e tij si President i parë me 24 maj”, tha kryeministri Kurti.
Në 16 vjetorin e shkuarjes në amshim, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, u nderua edhe nga liderë të partive politike dhe drejtues të institucioneve kulturore e shkencore, si edhe shumë qytetarë të Kosovës.
(r.m.)