Prishtinë, 22 maj 2023 – Dialogu Kosovë-Serbi ka qenë njëra ndër temat kryesore të takimeve të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti, me senatorët amerikanë Chris Murphy e Gary Peters, të hënën në Prishtinë.
Presidentja Osmani tha se Kosova do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.
“Sa i përket marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, Kosova nuk do t’i ikë detyrimeve të saj. Kosova do t’i zbatojë të gjitha detyrimet që janë rezultat i dialogut. Multietniciteti është vlerë e mishëruar në Kushtetutën tonë”, tha ajo.
Presidentja Osmani theksoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Siç e dini, komunat në Republikën e Kosovës kanë të drejtë të mblidhen në asociacione, për të koordinuar punën e tyre, por e gjithë kjo bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën”, u shpreh ajo.
Presidentja Psmani tha se senatorët amerikanë i ka njoftuar me shkeljet e marrëveshjes nga ana e Serbisë, sidomos me shkeljen e pikës që e detyron Serbinë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Edhe Kryeministri tha se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit përbëjnë platformën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Ai theksoi edhe me këtë rast se kjo marrëveshje duhet të zbatohet sa më shpejt, në mënyrë të plotë e pa kushtëzime.
“Bashkëbiseduam edhe për raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë, dhe për rezultatet e dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, me theks në Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e zbatimit të saj. Ato përbëjnë avancim të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe janë platformë e mundësi për normalizim të plotë të tyre. Prandaj, na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pa kushtëzime”, theksoi Kurti.
Presidentja Osmani tha se në takimin me senatorët Murphy e Peters ka shprehur edhe nevojën për thellimin e bashkëpunimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara të Amerikësdhe ka kërkuar përkrahje për për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Në këtë kohë kur gjithë arkitektura e Evropës po sfidohet nga mendësia autokratike, Kosova gjendet në krahë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë takim shpreha nevojën për bashkëpunimin ushtarak me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kam kërkuar përkrahje për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Integrimi i Kosovës është përgjigje e fuqishme ndaj atyre që dëshirojnë të na kthejnë në vitet e 90-a”, tha ajo.
Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti i cilësuan të shkëlqyeshme marrëdhëniet midis Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se këto marrëdhënie, siçu shpreh Kurti, “sa vijnë e thellohen”.
Presidentja Osmani shprehu kënaqësinë që sondazhet e fundit të organizatave vendore dhe atyre amerikane treguan edhe një herë se Kosova është vendi më proamerikan në botë.
(r.m.)