Paris, 10 nëntor 2022 – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka pritur në takim Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Takimi është realizuar në Paris, në margjina të Forumit të Paqes.
Nga deklaratat e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, kuptohet se temë kryesore ka qenë propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
“Propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme [në dialogun Kosovë Serbi]”, kanë deklaruar presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti gjatë takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron, thuhet në komunkatën e përbashkët të lëshuar nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës.
Në komunikatë thuhet se Osmani dhe Kurti e kanë falënderuar presidentin Macron për angazhimin e Francës, për dinamizimin e procesit të dialogut, bashkë me Gjermaninë.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka konfirmuar më 3 nëntor ekzistimin e planit franko-gjerman, që është raportuar se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.
Osmani dhe Kurti po marrin pjesë në Forumin e Paqes në Paris, me ftesë të – Presidentit Macron.
Në këtë forum po marrin pjesë edhe homologët e tyre serbë, Aleksandar Vuçiq dhe Ana Bërnabiq.
Më herët gjatë ditës, Macron ka takuar edhe Vuçiqin. Përveç për propozimin franko-gjerman, në takim është folur edhe për dorëheqjen e pjesëtarëve të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës.
“… kanë folur edhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit, duke theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për paqe, stabilitet dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës dhe të Qeverisë së Kosovës.
(r.m.)