Osmani e Kurti ua urojnë Kurban Bajramin besimtarëve muslimanë

Prishtinë, 28 qershor 2023 – Udhëheqësit shtetërorë të Kosovës ua kanë uruar festën e Kurban Bajramit besimtarëve muslimanë në Kosovë. Në urimet e tyre, ata bëjnë thirrje për vepra të mira.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se kjo festë, e cila është simbol i sakrificës dhe solidarritetit, është një rast i çmuar për t’ua shtrirë dorën e mirësisë njerëzve në nevojë.

“Kurban Bajrami është mundësi reflektimi mbi solidaritetin, sakrificën e tolerancën. Është mundësi për t’i çmuar lidhjet tona familjare dhe miqësore, si dhe për të zgjatur dorën e mirësisë ndaj atyre në nevojë.

Derisa sot mblidhemi së bashku për të festuar, le të kujtojmë frymën e unitetit dhe harmonisë që simbolizon kjo festë. Me shpresën që kjo festë të sjellë te ju, familjet dhe të afërmit tuaj të mira e begati, ju uroj edhe një herë me fat Kurban Bajramin”, thuhet në urimin e Presidentes Osmani.

Edhe Kryeministri Albin Kurti, në urimin e tij, u ka bërë thirrje besimtarëve muslimanë dhe të gjthë qytetarëve të Kosovës të jenë solidarë me të tjerët.

“Gëzuar e me fat Kurban Bajrami!

Sakrifica gjithmonë ka për synim tjetrin, jo veten. Të mirën e përgjithshme, jo të mirat vetanake. Ajo është shërbim dhe përkushtim, që nganjëherë të pakëson, por gjithmonë të lartëson.

Përmes saj heq dorë nga të qenit në qendër, për t’u bërë qendra e të tjerëve.

Në festën e sakrificës, le të bëhemi edhe më solidarë e më zemërgjerë me të tjerët, për të mirën e përgjithshme, me ata që na rrethojnë. Sot, nesër, çdo ditë të vitit”, thuhet në urimin e Kurtit.

(r.m.)