Nju Jork, 20 shtator 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se të mërkurën në Nju Jork është takuar me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në këtë proces.
Osmani ka thënë se suksesi i dialogut është i lidhur me zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazë për normalizim të marrëdhënieve dhe të aneksit të saj. Ajo ka përmendur edhe nevojën për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat sipas saj, janë duke pasur ndikim te qytetarët e Kosovës.
“Në Nju Jork, u takova me Miroslav Lajçakun, për të diskutuar për zhvillimet e fundit në dialog. Theksova se suksesi i tij është i lidhur me zbatimin e balancuar dhe të plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe të Aneksit të Ohrit, si edhe Me heqjen e masave të BE-së që po i prekin qytetarët tanë”, ka shkruar ajo në Twitter.
Lajçaku, po në një postim në Twitter, ka thënë se me presidenten Osmani është pajtuar që të vazhdojnë diskutimet në këtë temë.
“Me presidenten Osmani pata një bisedë të detajuar dhe të dobishme për dialogun dhe rrugën përpara në avancim të zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit. U pajtuam të vazhdojmë diskutimet”, ka shkruar ai.
Had a detailed and useful conversation with President @VjosaOsmaniPRKS on the state of play in the Dialogue and the way forward in advancing the implementation of the Agreement on the path to normalisation. Agreed to continue our discussion. pic.twitter.com/3uPiSWXTim
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) September 20, 2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Lajçakun se, në takimin e fundit trepalësh në Bruksel, e ka paraqitur një propozim të Beogradit si propozim të tij.
Bashkimi Evropian ka vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të mospëmbushjes së kërkesave për shtendosjen e situatës në veri të Kosovës. Kosova ka thënë se nxitëse e tensionev është Serbia, por ajo vazhdon të përkëdhelet nga Bashkimi Evropian.
(r.m.)