Osmani e O’Brien biseduan për anëtarësimin e Kosovës në KE dhe për Marrëveshjen e Brukselit

Prishtinë, 1 prill 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien.

Osmani, përmes një postimi në platformën X, ka njoftuar se me zyrtarin e lartë amerikan kanë diskutuar për partneritetin me SHBA-në dhe hapat e mëtejmë të zbatimit të marrëveshjes së Bruselit.

”Një telefonatë produktive me O’Brien sot. Theksoi rëndësinë themelore të punës së bashku me aleatët tanë të SHBA-së në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Ne diskutuam gjithashtu hapat e Kosovës për anëtarësimin në KE dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes së Brukselit”, ka shkruar Osmani.

Ditë më parë, gjatë një diskutimi online që kishte me gazetarë, O’Brien ka folur edhe për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe sulmin në Banjskë të Zveçanit, të cilin sulm e kishte organizuar dhe mori pjesë Milan Radoiçiq, i cili tashmë është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai me këtë rast tha se individët që janë përfshirë në këtë sulm duhet të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit po ashtu është deklaruar edhe lidhur me lëvizjes e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën, të cilat theksoi se janë duke i përcjellë.

O’Brien ka ritheksuar se edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e di së përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm.

(Telegrafi)