Osmani e Rama diskutuan për një sërë temash me interes për mbarë rajonin

Prishtinë, 6 korrik 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot (e enjte) në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili erdhi në Kosovë në kuadrin e një turneu në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zyra e Presidentes Osmani njofton se në takim është diskutuar për një sërë temash me interes për mbarë rajonin: për samitin e NATO-s, i cili do të mbahet këtë  muaj në Vilnius të Lituanisë, për samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë në muajin tetor, për situatën aktuale dhe zhvillimet në rajon si edhe për situatën e sigurisë dhe për zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës.

Në njoftim thuhet se Presidentja Osmani e ka shprehur përkushtimin e Kosovës për adresimin e sfidave të përbashkëta me të cilat po përballet rajoni, së bashku me partnerët euroatlantikë.

Sa i përket situatës së sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.

Presidentja Osmani e ka cilësuar të pashmangshme nxjerrjen para drejtësisë të personave që kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it, policinë e Kosovës, gazetarët dhe qytetarët.  Ajo ka theksuar se “pandëshkueshmëria mund të nxisë edhe më shumë dhunë”.

Duke shprehur pikëpamjet e saj për samitin e Procesit të Berlinit, Presidentja e Kosovës e ka vlerësuar të domosdoshme zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të këtij procesi, sidomos të marrëveshjes për liri të lëvizjes. Ajo ka kërkuar që në kuadër të Procesit të Berlinit të shqyrtohen  mundësitë për shtimin e fondeve për financimin e projekteve në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë diskutimit për Samitin e NATO-s, Presidentja Osmani e ka falënderuar Shqipërinë për përkrahjen e vazhdueshme të bashkëpunimit midis Kosovës dhe kësaj aleance. Ajo ka thënë se anëtarësimi në Programin e NATO-s Partneritet për Paqe, si  një hap drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në NATO, do t’i kontribuonte stabilitetit afatgjatë në rajon.

Presidenca e Kosovës njofton se Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama janë dakorduar të koordinojnë veprimet në të mirë të qytetarëve të dy shteteve dhe në të mirë të paqes dhe sigurisë rajonale. 

Gjatë qëndrimit në Kosovë Rama ka planifikuar të takohet edhe me Kryeministrin Albin Kurti, por ky i fundit ka thënë se nuk dëshiron të takohet me Ramën, përveçse në mbledhjen e përbashkët të qeverive të dy vendeve. Kështu ai e ka shprehur zemërimin që Rama e kishte anuluar  mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që ishte planifikuar të mbahej më 14 qershor në Gjakovë.

Rama e kishte anuluar pjesëmarrjen e Qeverisë së Shqipërisë në mbledhjen e përbashkët  me Qeverinë e Kosovës, për shkak të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

Ky vendim është cilësuar si masë ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionim të situatës në veri.

Përveç kësaj, Kryeministri i Shqipërisë ua dorëzoi autoriteteve të Bashkimit Evropian një draft të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë dhe paraqiti idenë për  një konferencë ndërkombëtare për Kosovën.

Rama i ndërmori këto veprime pa u konsultuar fare me autoritetet e Kosovës,  gjë që u cilësua si shpërfillje e institucioneve shtetërore të Kosovës,madje edhe të vetë shtetit të Kosovës.

Më herët Rama ia ka parë për të madhe Kosovës që nuk iu bashkua nismës rajonale “Ballkani i Hapur”, të cilën e lansuan bashkërisht ai dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Autoritetet e Kosovës e refuzojnë çfarëdo nisme rajonale në të cilën Kosova nuk trajtohet si shtet, e barabartë me të gjitha vendet e rajonit.

(r.m.)